Publikimi i imazhit të parë të një vrime të zezë në vitin 2019 ishte llogaritur si një arritje e madhe shkencore. Por që në fakt, imazhi ishte pak i mjegullt – ose, siç e quajti një shkencëtar i përfshirë në këtë projekt, ishte një “petull portokalli e mjegullt”.
Të enjten, shkencëtaret prezantuan një imazh të ri dhe të përmirësuar të kësaj vrime të zezë – një gjigant në qendrën e një galaktike të afërt – duke nxjerrë të dhënat e njëjta të përdorura për imazhin e mëparshëm por duke përmirësuar rezolucionin e saj duke vënë në përdorim algoritme për rikonstruktimin e imazhit për të mbushur boshllëqet në vëzhgimet origjinale të teleskopit.
Të vështira për t’u vëzhguar për shkak të natyrës së tyre, vrimat e zeza janë entitete qiellore të cilat prodhojnë një tërheqje gravitacionale aq të fortë, sa që nuk mund t’i shpëtojë asnjë materie ose dritë, shkruan Reuters.
Unaza e dritës – materiali i cili është duke u thithur nga objekti i paepur – e parë në këtë imazh, del të jetë rreth gjysma e gjerësisë e parë në fotografinë e mëparshme. Ka gjithashtu një mungesë më të madhe të dritës në qendër të saj – ose ndryshe në “vrimën e petullës” – e cila u shkaktua nga drita dhe materiet e tjera të cilat zhduken brenda vrimës të zezë.
Imazhi mbetet disi i paqartë për shkak të kufizimeve të të dhënave që e mbështesin atë – imazh i cili nuk është fare gati për një “blockbuster” fantastiko-shkencor të Hollivudit, por një përparim nga versioni i vitit 2019.
Vrima super-masive e zezë ndodhet në galaktikën e quajtur Messier 87, ose ndryshe M87, rreth 54 milionë vite-dritë larg Tokës. Një vit drite është distanca të cilën drita e përshkon brenda një viti, apo 9.5 trilionë kilometra (5.9 trilionë milje). Kjo galaktikë, e cila ka një masë prej 6.5 miliardë herë më të madhe se dielli, është më e madhe dhe më e ndritshme se galaktika e jonë “Rruga e Qumështit”.
“Imazhit të mëparshëm me shumë dashuri i referohem si ‘petulla portokalli e mjegullt’, ndërsa këtij imazhi i referohem sikurse ‘petulla e dobët’, emër ky i cili tingëllon si i pakuptimtë. Ne gjithashtu kemi diskutuar edhe emrin ‘petulla dietale’, emër ky i cili gjithashtu është i pakuptimtë”, tha astrofizikania Lia Medeiros nga Instituti për Studim të Avancuar në Princeton të New Jersey, e cila është autore kryesore e studimit të publikuar në Astrophysical Journal Letters.
Katër autorët e studimit, janë anëtarë të projektit Event Horizon Telescope (EHT), një bashkëpunim ndërkombëtar i nisur në vitin 2012 me qëllimin e vëzhgimit direkt të ambientit që e rrethon vrimën e zezë. Horizonti i ngjarjeve të një vrime të zezë është pika përtej së cilës çdo gjë – yjet, planetët, gazi, pluhuri dhe të gjitha format e rrezatimit elektromagnetik – gëlltitet në harresë.
Madeiros deklaroi se ajo dhe kolegët e saj planifikojnë që ta përdorin tekniken e njëjtë për përmirësimin e imazhit e të vetmes vrimë tjetër të zezë të fotografuar, një imazh i lëshuar vitin i kaluar ku shfaq një vrimë e cila ndodhet në qendër të Rrugës së Qumështit, me emrin Sagittarius A*, ose shkurt Sgr A*.
Imazhi i vrimës së zezë M87 rrjedh nga të dhënat e mbledhura nga 7 radio teleskopë në 5 lokacione të ndryshme në planetin Tokë, e që në thelb krijojnë një pjatë vëzhgimi me madhësi planeti.
“EHT është një grup mjaft i rrallë i teleskopëve. Kjo është diçka për të cilën nuk mund të bëjmë asgjë sepse ne duhet t’i vendosim teleskopët tanë në majat e maleve dhe këto male janë të pakta dhe shumë larg njëri-tjetrit. Pjesa më e madhe e Tokës është e mbuluar nga oqeanet”, tha astrofizikani i Georgia Tech dhe bashkëautori i studimit Dimitrios Psaltis.
/TV Arbëria