Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shkëlzen Gashi: Këta janë tre viktimat e luftës nga Prekazi të cilët nuk po i përkujtojmë kurrë

Shkëlzen Gashi: Këta janë tre viktimat e luftës nga Prekazi të cilët nuk po i përkujtojmë kurrë

Publicisti nga Kosova, Shkëlzën Gashi, përmes një shkrimi në profilin e tij në ‘facebook’ ka përkujtuar krimet makabre të bëra nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit.Gashi ka përkujtuar krimin e shtetit serb të bërë më 5 mars 1998 ku kishin vrarë 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në burojë dhe një në Tushilë.

Gashi thotë se nga gjithë këta, 40 viktima kanë qenë civil të paarmatosur, përfshirë 26 gra dhe 14 meshkuj. 18 nga viktimat kanë qenë të mitur, pesë mbi moshën 65 vjeçare, nga ta 37 shqiptarë dhe tre romë.

Arsyeja pse Gashi ka shkruar për këtë krim të serbëve janë tre viktimat e kombësisë rome, Fatime Gashi 50 vjeç me fëmijët e saj Gazmendin 16 vjeç dhe Makfireten 13 vjeçe.

Ai ka shkruar se po bëhen gati 25 vjet nga vrasja dhe Fatmija, Gazmendi dhe Makfiretja nuk po përkujtohen kurrë.

Postimi i plotë:

Në kujtim të Fatimes, Gazmendit dhe Makfiretes!

Më 5 mars 1998, Njësia për Operacione Speciale, Njësia Speciale Antiterroriste dhe Njësia Speciale Policore, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Sërbisë, rrethuan fshatrat përreth Prekazit të Skënderajt. Në shënjestër të ofensivës së tyre ishte fshati Prekaz, saktësisht familja e Shaban Jasharit, për shkak se djemtë e tij, Hamza dhe Ademi, kishin themeluar dhe i udhëhiqnin celulat e para të UÇK-së në këtë zonë.
Në këtë ofensivë forcat sërbe vranë 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë, pra gjithsej 68 veta, prej të cilëve 40 ishin civilë të paarmatosur. Ndër civilët, 26 ishin femra e 14 meshkuj; 18 ishin të mitur, kurse pesë mbi 65-vjeçarë; 37 ishin shqiptarë, e tre romë.
Të parët që u vranë në këtë ofensivë më 5 mars 1998 ishin Fatime Gashi, 50 vjeçare e komunitetit rom, me fëmijët Gazmendin 16 vjeç dhe Makfireten 13 vjeçe. Po bëhet gati çerek shekulli nga vrasja e tyre dhe, fatkeqësisht, Fatimen, Gazmendin dhe Makfireten nuk po i përkujtojmë kurrë.
Sot është dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut.
Respekt për të gjitha viktimat e luftës 1998-1999, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjinore, racore, krahinore, politike, e me radhë.
P.S.
Fotografinë e Gazmendit të vrarë e kam gjetë në arkivën e fotografit Ilaz Bylykbashi.           /TV Arbëria 

Powered by WordPress