Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Shkëlzen Dakaj paralajmëron padi ndaj Valon Ramadanit: Do të përballemi në gjykatë me fakte dhe dokumente

Shkëlzen Dakaj paralajmëron padi ndaj Valon Ramadanit: Do të përballemi në gjykatë me fakte dhe dokumente

Shkëlzen H. Dakaj ka njoftuar se do t’i drejtohet gjykatës pas deklaratave publike të Valon Ramadanit, duke thënë se përballja mes tyre do të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve, e jo të spekulimeve dhe shpifjeve.

Përmes një reagimi publik, Dakaj ka deklaruar se procesi gjyqësor do të jetë mundësi për të vërtetuar pretendimet e bëra në publik dhe për të sqaruar çështjet që, sipas tij, lidhen me pasurinë shtetërore dhe procedurat e privatizimit.

Ai ka theksuar se hulumtimet e mediumit Infokusi lidhur me tjetërsimin e tokave shtetërore përmes procedurave të negociuara me Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të vazhdojnë, duke premtuar publikimin e dokumenteve dhe dëshmive që konsiderohen me interes publik.

Dakaj ka pretenduar se babai i Valon Ramadanit ka përfituar tokë përmes një procedure të negociuar me AKP-në, ndërsa ka kërkuar transparencë të plotë për të gjitha pronat publike të tjetërsuara gjatë vitit 2025.

Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të informohen për përfituesit e pronave publike dhe për mënyrën se si janë zhvilluar këto transaksione. Ai ka bërë të ditur se, pas mosveprimit të AKP-së ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike, çështja është dërguar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Në fund, Dakaj është shprehur i bindur se dokumentet dhe të dhënat që lidhen me këto transaksione do të bëhen publike dhe se, sipas tij, e vërteta do të dalë në dritë.