Policia e Kosovës, konkretisht Anti-Droga, dje ka arrestuar një person të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve në Prizren, shkruan Arbëria TV.
Sipas njoftimit të Policisë, personi i dyshuar është arrestuar rreth orës 19:00 dhe i njëjti dyshohet se shiste dhe shpërndante substanca narkotike nga banesa e tij në Prizren.
“Me datën 04.06.2024 rreth orës 19:00, në kuadër të planit operativ të lartcekur, DHTN-njësia në Prizren, ka pranuar informacione se i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se nga banesa e tij në Prizren në intervale të ndryshme kohore ka shitur dhe ka shpërndarë substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë”, shkruhet në postimin e Policisë.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është sekuestruar një qese plastike me marihuanë me peshë prej rreth 14.56 gramë, një qese me marihuanë me peshë prej 1.69 gramë (e përgatitur për shitje), një telefon mobil, një pako me folje alumini, dhe njëqind e dymbëdhjetë (112) euro para të gatshme.