Lista Serbe ka reaguar pasi Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi t’ia ndryshojë emrin sheshit “Car Llazar” në “Korza”.
Në një reagim LS thotë se ky vendim u mor nga një “kuvend jolegjitim” dhe pa konsultime publike.
“Nuk pati konsultime publike apo thirrje për një debat publik për t’u pyetur qytetarët se çfarë mendonin për këtë, askush nga komuniteti serb nuk mori pjesë në punën e komisionit jolegjitim, prandaj, qytetarët mësuan për punën e komisionit dhe vendimet e kuvendit jolegjitim nga mediat në gjuhën shqipe, pasi asnjë nga mediat serbe nuk mori ftesë për seancën e sotme”, thuhet në reagim.
Tutje LS ka thënë se vendimet “janë të ndryshueshme”.
“Vendimet janë të ndryshueshme, siç janë edhe njerëzit që ulen sot në ato banka të Kuvendit, por ato do të lënë pas turp dhe mbjellje përçarjesh midis komuniteteve.”, thuhet në reagim.