Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shënohet `Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës`

Shënohet `Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës`

 

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), si anëtare e Rrjetit Jo-formal për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE-NK) dhe zbatuese e projektit YEEP 2 – fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja bashkë me Komunën e Gjilanit mbajtën një tryezë diskutimi dhe panair për të shënuar `Javën e të mësuarit gjatë gjithë jetës`

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku, ishte e pranishme në këto dy aktivitete që mblodhën edhe përfaqësues të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, asaj të Shëndetësisë, Qendrës për Aftësim Profesional, biznese dhe OJQ të profileve të ndryshme.

Nënkryetarja e komunës, tha se kjo javë, shënon dhe promovon mësimin gjatë gjithë jetës, e cila në vete përfshinë edukimin dhe trajnimin për të gjitha moshat dhe në të gjitha fushat e jetës.

“Ky projekt është zbatuar në Gjilan, ku 70 të rinj ishin përfitues të përfitimit të shkathtësive përmes programeve të vazhdueshme të trajnimit dhe monitorimit për të konkurruar në tregun e punës”, tha Morina Bunjaku.

Diskutimi shërbeu si një platformë informacioni dhe shkëmbimi mundësish për të gjithë të interesuarit për mundësitë e mësimit, kualifikimit apo aftësimit profesional për qytetarët e Komunës së Gjilanit.

“Kjo javë i dedikohet rëndësisë së mësuarit gjatë gjithë jetës, një koncept që thekson konsistencën dhe emancipimin e qytetarëve për pjesëmarrje më të madhe në shoqëri, duke ofruar kontribute frytdhënëse në vlerat shoqërore. Aktiviteti u përkrah nga DVV International në Kosovë dhe u realizua në bashkëpunim me projektin YEEP 2, i cili zhvillohet në partneritet me Sos Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë”, njofton Komuna e Gjilanit. /RTK

Powered by WordPress