Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shembja e paqes së rrejshme në Siri

Shembja e paqes së rrejshme në Siri

Shkruan: Afrim Kasolli

Se Rusia është dobësuar për shkak të luftës në Ukrainë, si dhe forcat proxy të Iranit, si Hezbollahu etj, në Lindje të Mesme, po ashtu kanë pësuar humbje në luftë me Izraelin, e dëshmon disfata e befasishme e ushtrisë së Bashar al-Assadit në Siri.

Qyteti i Alepos, cili është dhe qyteti i dytë më i madh në këtë shtet, ra papritmas nën kontrollin e forcave opozitare të drejtuara nga luftëtarët e grupit islamist të quajtur Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ky grup i cili i cili përfaqëson fraksionin më të madh opozitar në Siri, dikur me lidhje me Al Kaidan, deri më tani ka qenë i koncentruar në rajonin e Idlibit, ku jetojnë rreth 4 milionë banorë dhe numëron deri në 30.000 luftëtarë. Tashmë ai është duke e rrezikuar seriozisht regjimin e Bashar al Asadit.

Sidoqoftë, shpërthimi i befasishëm i kësaj kryengritje, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë, ka lidhje edhe me aktorë gjeopolitikë rajonalë. Regjimi i Damaskut, i cili dominohet nga familja Assad-it, që nga viti 1971, ia doli të mbijetojë luftën e fundit civile, që shpërtheu në këtë vend nën valën e Pranverës Arabe në vitin 2011, falë fragmentarizmit të forcave opozitare dhe mbështetjes vendimtare nga Rusia dhe Irani. Ku konflikt la pas vetës mbi 500.000 të vdekur dhe rreth 7 milionë të zhvendosur. Kurse vendi vazhdon të jetë i ndarë dhe i kontrolluar nga forca të ndryshme ushtarake. Pjesën e më të madhe deri më tani e kanë kontrolluar forcat qeveritare të Assadit, një pjesë nga opozita demokratike e mbështetur nga SHBA-të, kurse rajone tjera nga forcat islamike sunite të përkrahura nga Republika e Turqisë, të cilat janë përdorur edhe si kundër peshë ndaj atyre kurde, të cilat Ankara i konsideron terroriste. Po ashtu, në terren gjenden ende mbetje të Shtetit Islamik, që dikur e kontrollonte pjesën me të madhe të Sirisë dhe Irakut. Kjo ndarje “harmonike” territoriale ka funksionuar deri më tani pa ndonjë telashe të madhe. Ndërkohë, procesi politik për kërkimin e një zgjidhje diplomatike për këtë konflikt, kishte filluar që në vitin 2017 në qytetin Astana të Kazakistanit më iniciativë të Rusisë, Iranit dhe Republikës Turke.

Prandaj, siç duket janë antagonizmat e këtyre të tri shteteve për të ushtruar ndikim më të madh në Siri që i hapën rrugë shembjes së paqes së rrejshme në atë vend. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka deklaruar dje pas takimit me homologun iranian, Abbas Araghchi, se kriza e fundit në Siri është rezultat i refuzimit të Presidentit Bashar al-Assad, për të angazhuar në një dialog politik me opozitën, dhe jo i ndërhyrjeve të jashtme. Ndërkohë, sipas mediumit The Guardian, Irani dhe Rusia, si dy nga sponsorët kryesorë të Assadit, janë duke i bërë thirrje Ankarasë, që t’i bind forcat që i mbështet për ta ndalur ofensivën, para se ajo të çojë në shpërbërjen e plotë të Sirisë, ose vendi të bie në duar të islamistëve ekstremistë. Mirëpo, Republika Turke është duke hezituar ta bëjë një gjë të tillë.

Kështu, sipas njohësit për Lindje të Mesme, Daniel Gerlach, ka gjasa që vetë presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, ta ketë inkurajuar rebelimin e fundit, si mjet për të ushtruar presion mbi presidentin Bashar al-Assad, për të përfituar sa më shumë favore nga ai, duke marrë parasysh pozicionin e dobësuar të tij nga mungesa mbështetjes së dikurshme ruse dhe iraniane, edhe pse mbase qëllimi imediat i tij mund të mos jetë përmbysja e plotë e regjimit në fuqi. Edhe shtetet tjera arab, po ashtu nuk është se në këtë fazë kanë shprehur interes për ta zëvendësuar regjimin e Assadit. Përkundrazi, shumë nga to i kanë rehabilituar raportet me të.

Por si shpeshherë në politikë, që nuk mund të kontrollohen ato forca kaotike çlirohen dhe në këtë rast pasojat mund të jenë tjera nga synimet fillestare. Këto shpërputhje mund të gjejnë terren pjellor veçanërisht në një rajon kompleks gjeopolitik si Lindja e Mesme, ku në shikim të parë ata aktorë që formalisht janë të angazhuar për sigurim të paqes, në prapaskene luftojnë për ta minuar ndikimin e njëri e tjetrit. Kjo edhe është arsyeja që sa duket që janë qetësuar valët e konflikteve, papritmas ato trazohen duke përmbysur çdo gjë nën vorbullën gllabëruese të tyre./tvarbëria/

Themes by WordPress