Të paktën katër punëtorë ndërtimi janë shpallur të zhdukur pas një shembjeje të pjesshme të një ndërtese pesëkatëshe në rikonstruksion në qendër të Madridit, pranë teatrit të operës dhe pallatit mbretëror, raportojnë autoritetet lokale.
Sipas zëvendëskryetares së bashkisë së Madridit, Inma Sanz, kompania ndërtuese ka raportuar për zhdukjen e tre burrave dhe një gruaje që ishin brenda objektit në momentin e shembjes.
“Katet e sipërme u shembën dhe ranë poshtë, prandaj po flasim për një sasi shumë të konsiderueshme rrënojash që do të duhet shumë kohë për t’u pastruar – jo vetëm orë, por ndoshta disa ditë,” deklaroi Sanz për gazetarët, transmeton Reuters.
Autoritetet janë duke përdorur dronë dhe qen nuhatës për të lokalizuar të zhdukurit, ndërkohë që pjesa e jashtme e ndërtesës ka mbetur e paprekur.
Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur tre persona: dy me lëndime të lehta dhe një tjetër që është dërguar në spital me këmbë të thyer, njoftoi zëdhënësja e shërbimeve të emergjencës, Beatriz Martin.
Një nga punëtorët, Mikhail, i cili po pomponte beton në katet e poshtme në momentin e ngjarjes, i shpëtoi për mrekulli.
“Pashë një re të madhe pluhuri dhe menjëherë ika me vrap,” tha ai për mediat.