Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Shefi i MI6: Rusia po kryen fushatë sabotuese në Europë

Shefi i MI6: Rusia po kryen fushatë sabotuese në Europë

Rusia po kryen “fushatë të pamatur” sabotuese në Evropë dhe po ashtu po intensifikon retorikën bërthamore për të frikësuar shtetet e tjera në mënyrë që të mos e mbështesin Ukrainën, tha shefi i spiunazhit i Britanisë.

Richard Moore, që udhëheq shërbimin e inteligjencës sekrete britanike, të njohur si MI6, gjatë një fjalimi në Paris më 29 nëntor tha se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të ketë sukses që ta shndërrojë Ukrainën në një shtet vasal, ai nuk do të ndalet aty.

“Siguria jonë, britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike, do të rrezikohej”, tha ai.

“Së voni, ne kemi zbuluar një fushatë të pamatur të sabotimit rus në Evropë, edhe teksa Putin dhe aleatët e tij përdorin kërcënimet bërthamore për të nxitur frikë lidhur me pasojat e ndihmës së Ukrainës”, shtoi ai.

Moore tha se dihet çmimi i mbështetjes së Ukrainës, por shtoi se “çmimi i mosveprimit do të ishte pafundësisht më i lartë. Nëse Putini ka sukses, Kina do të peshonte pasojat, Koreja e Veriut do të inkurajohej dhe Irani do të bëhej edhe më i rrezikshëm”.

Fjalimi i Moore duket se kishte për synim të bashkonte aleatët evropianë dhe u drejtohej edhe skeptikëve lidhur me rëndësinë e Ukrainës.

Edhe shefat e tjerë të inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia ka intensifikuar veprimet sabotuese.

NATO dhe shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë thënë se Rusia qëndron prapa një sërë aktivitetesh armiqësore në mbarë zonën euroatlantike, sikurse janë sulmet e vazhdueshme kibernetike, gjë që Moska i mohon.

Shërbimi i inteligjencës së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar tha muajin e kaluar se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU, po synonte të nxiste “kaos” në Britani dhe Evropë./REL/

Themes by WordPress