Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Rajoni > Shea: Serbisë do t’i refuzohet kërkesa, por është mirë që nuk veproi pa bërë kërkesë

Shea: Serbisë do t’i refuzohet kërkesa, por është mirë që nuk veproi pa bërë kërkesë

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, është i bindur se Serbisë nuk do t’i aprovohet kërkesa për kthimin e ushtarëve dhe policëve në Kosovë, megjithatë shprehet i kënaqur që të paktën Serbia ka vendosur të bëjë kërkesë dhe jo të veprojë në mënyrë unilaterale. “Është më mirë që Serbia, publikisht dhe në mënyrë transparente, i ka kërkuar KFOR-it t’i kthejë trupat në Kosovë e jo ta bëjë këtë në mënyrë unilaterale, apo sekrete, pasi kjo do të ishte ekstremisht provokuese në rrethanat aktuale”, thotë Shea.

Ai beson se edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetëdijshëm se kjo kërkesë nuk do t’i aprovohet, por thotë se ky është një “veprim politik, sepse ndoshta ai [Vuçiq] ndjen se mund ta arrijë një fitore në marrëdhënie me publikun, pa e ndryshuar realisht situatën në terren”. Vuçiq ka thënë se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave në Kosovë, “sipas Rezolutës 1244” të Kombeve të Bashkuara.

Shea, i cili ishte zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë – thotë se kjo rezolutë ia lejon Serbisë të kërkojë kthimin e trupave, por vetëm në rrethana të caktuara. “… në rrethana të caktuara, kryesisht sa u përket kontrolleve kufitare. Ideja ishte që të ketë koordinim në kufi për të parandaluar incidente, për të luftuar vjedhjet, trafikimin ilegal, për mbrojtjen e minoriteteve, të monumenteve”, thotë Shea.

Britaniku, i cili ishte pjesë e NATO-s deri në pensionimin e tij në vitin 2018, shton se kthimi i trupave serbe në Kosovë do të lejohej vetëm “nëse ndihmon në qetësimin e situatës”.

“Është shumë e rëndësishme që KFOR-i vendos nëse kjo do të jetë e dobishme apo jo. Dhe në atmosferën aktuale, qartësisht të tensionuar mes Prishtinës dhe komunitetit serb të Kosovës, rrethanat aktuale janë dukshëm në të kundërtën – një gjë e tillë do ta përshkallëzonte situatën”, shprehet Shea.

Ai përkrahu përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në kërkesën që vetë serbët lokalë t’i largojnë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor në veri dhe iu bashkua thirrjeve që Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Fatkeqësisht, sot në veri të Kosovës ka ende njerëz me pikëpamje shumë ekstreme, radikale, që nuk duan të bëhet asnjë lloj përparimi, dhe stagnimi aktual, meqë çon në dhunë, i përshtatet më shumë agjendës së tyre”, shtoi ish-zëdhënësi i NATO-s./REL

Themes by WordPress