Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ShBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpushim në Gazë

ShBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpushim në Gazë

Shtetet e Bashkuara më 20 nëntor vendosën veto ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara që kërkonte armëpushim të menjëhershëm të luftës në Gazë.

Uashingtoni tha se vendosi veto pasi armëpushimi nuk ishte i lidhur me lirimin e menjëhershëm të pengjeve që u morën nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi me 14 vota për dhe 1 kundër rezolutës së sponsorizuar nga 10 anëtarë të Këshillit të përbërë nga 15 shtete, por nuk u miratua për shkak të vetos amerikane.

Rezoluta, që u nxor në votim, kërkonte “një armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm që do të respektohej nga të gjitha palët dhe rikthesonte kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të të gjitha pengjeve”.

Këshilli i Sigurimit në qershor kishte miratuar rezolutën e parë për një plan për armëpushim, me qëllim që t’i jepet fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Rezoluta e sponsorizuar nga SHBA-ja mirëpriste propozimin për armëpushim të presidentit amerikan, Joe Biden, që SHBA-ja tha se Izraeli e kishte pranuar. Kjo rezolutë i kërkonte Hamasit të pranonte planin prej tri fazash, por pavarësisht rezolutës lufta në Gazë ende po vazhdon.

Me më shumë se 43.000 palestinezë të vrarë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore, kërcënimi nga uria, veçmas në veri të enklavës, dhe pa sinjale për përfundimin e luftës, të 10 anëtarët e Këshillit vendosën që fillimisht të përqendroheshin në një armëpushim.

Ambasadorja e Gaianës, Carolyn Rodrigues, që prezantoi rezolutën në emër të shteteve të zgjedhura, tha se rezoluta “u hartua për shkak të shqetësimit të thellë të Këshillit lidhur me situatën katastrofale humanitare në Gazë, përfshirë atë që po ndodh në veri të Gazës dhe për shkak të nevojës për përgjigje urgjente për këtë situatë”.

Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood, tha se SHBA-ja ka punuar për javë të tëra për të shmangur veton dhe shprehu keqardhje që një gjuhë kompromisi nuk u pranua.

“Ne e kemi bërë të qartë gjatë negociatave se nuk do të mbështesim një armëpushim pa kushte që dështon të përfshijë lirimin e pengjeve”, tha ai.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – dhe rrëmbeu 250 persona të tjerë. Afër 100 pengje janë ende në Gazë dhe një e treta e tyre besohet se kanë vdekur./REL

Themes by WordPress