Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > SHBA-Ukrainë, bisedojnë drejtuesit e mbrojtjes

SHBA-Ukrainë, bisedojnë drejtuesit e mbrojtjes

Njësitë e Koresë së Veriut kanë filluar të luftojnë përkrah njësive ruse, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit gjatë një konference për media.

“Mbi 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusinë lindore dhe shumica e tyre janë zhvendosur në rajonin e largët perëndimor të Kurskut, ku kanë filluar të angazhohen në operacione luftarake me forcat ruse”, u tha gazetarëve zëdhënësi Vedant Patel.

Një ditë më parë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se trupat ukrainase po përballeshin me 50,000 trupa, përfshirë 11,000 trupa të Koresë së Veriut të dislokuara nga Rusia në rajonin e saj të Kurskut, megjithëse Moska nuk e konfirmon apo mohon përfshirjen e tyre.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin bisedoi të martën me homologun e tij ukrainas Rustem Umerov “për të diskutuar dinamikën e fushëbetejës dhe për të ofruar një përditësim mbi ndihmën amerikane të sigurisë” për vendin e Evropës Lindore, sipas sekretarit të shtypit të Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.

Zoti Ryder tha se “sekretari rikonfirmoi angazhimin e Presidentit Biden për të rritur ndihmën e sigurisë për Ukrainën”.

Pentagoni informoi gjithashtu për sasinë e fondeve që mbeten në dispozicion për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Kanë mbetur rreth 7.1 miliardë dollarë nën fondin që autorizohet nga presidenti, ku përfshihen 4.3 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill, plus 2.8 miliardë dollarë që u bënë të disponueshme pas përllogaritjeve të reja.

Për më tepër, ka edhe rreth 2.2 miliardë dollarë në dispozicion nën programin e Iniciativës për Asistencën e Sigurisë në Ukrainë. Gjenerali Ryder theksoi sërish se Shtetet e Bashkuara do të nxitojnë me ndihmën për Ukrainën dhe do të përdorin të gjitha fondet në dispozicion.

Gjenerali Ryder tha se dy drejtuesit e mbrojtjes folën gjithashtu për pasojat nga përfshirja e mijëra trupave të Koresë së Veriut, që tani vlerësohen të jenë kryesisht në rajonin perëndimor të Kurskut.

Ndërkohë, një sulm ajror rus në qytetin e lindjes së Presidentit ukrainas Zelenskyy vrau një nënë dhe tre fëmijët e saj dhe la 14 të tjerë të plagosur, thanë zyrtarët të martën.

Ministri i Brendshëm Igor Klymenko tha se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar pasi një ndërtesë banimi në Kryvyi Rih u godit një ditë më parë.

Prokuroria e Përgjithshme tha se janë vrarë një grua 32-vjeçare dhe fëmijë të moshave 10 vjeç, 2 vjeç dhe 2 muajsh.

Në rajonin Belgorod të Rusisë, një sulm ukrainas me dron i vuri flakën një depozite karburanti, njoftoi guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ai tha se një depozitë mori flakë dhe 10 ekipe zjarrfikëse u dislokuan në distriktin Starkooskolsky afër kufirit me Ukrainën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se 13 dronë ukrainas u shkatërruan gjatë natës, në rajonet në kufi me Ukrainën.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 46 dronë rusë gjatë natës.

Për më tepër, ushtria ukrainase “po përballej me një përqëndrim mjaft të madh të trupave ruse – 50,000 ushtarakë të okupatorit”, në rajonin e Kurskut, tha Presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij drejtuar vendit të hënën.

“Sulmet e forcave tona ndaj arsenaleve ruse kanë reduktuar sasinë e artilerisë së përdorur nga okupatori dhe kjo është e dukshme në pjesën frontale. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për vendime nga partnerët tanë – Amerika, Britania, Gjermania – për kapacitetet me rreze të gjatë”, tha Presidenti Zelenskyy. “Kjo është jetike. Sa më larg të mund të godasin raketat dhe dronët tanë, aq më pak aftësi reale luftarake do të ketë Rusia”.

Pakti i mbrojtjes Rusi – Koreja e Veriut

Media shtetërore në Korenë e Veriut njoftoi se vendi ratifikoi një marrëveshje të mbrojtjes me Rusinë të martën, duke zyrtarizuar muaj të tërë të thellimit të lidhjeve të sigurisë.

Marrëveshja “u ratifikua si një dekret” i udhëheqësit Kim Jong Un, tha të martën Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).

Njoftimi vjen pasi ligjvënësit rusë votuan njëzëri javën e kaluar për të ratifikuar marrëveshjen, të cilën Presidenti rus Vladimir Putin e nënshkroi më vonë.

“Traktati do të hyjë në fuqi nga dita kur të dyja palët shkëmbejnë instrumentet e ratifikimit,” tha KCNA-ja.

Zoti Putin dhe zoti Kim nënshkruan paktin strategjik në qershor, gjatë vizitës së presidentit rus në Korenë e Veriut./Voa

Powered by WordPress