Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha të hënën se grupet kryesore rebele siriane, përfshirë ata që janë caktuar nga SHBA-ja si organizata terroriste, po thonë “të gjitha gjërat e duhura” mes pasigurisë mbi atë që do të vijë pas rënies së diktatorit Bashar al Assad, shkruan CNN.
“Ne do të punojmë me të gjitha grupet në Siri dhe siç tha presidenti Biden dje, grupet rebele, përfshirë ato që janë caktuar si grupe terroriste, në fakt kanë thënë të gjitha gjërat e duhura. Tani pyetja është, çfarë do të bëjnë ata për ta bërë një Siri më të mirë”, tha Sullivan në CBS Mornings.
Sullivan shtoi në Good Morning America të ABC se ishte “mirë që ai u largua”, duke iu referuar ish-presidentit sirian Bashar Al-Assad dhe se rënia e regjimit të Asadit krijon “rrezik dhe pasiguri për atë që vjen më pas”.
“Ka një mundësi për të ndërtuar diçka më të mirë në Siri, por ekziston shqetësimi se terroristët, xhihadistët dhe njerëzit e tjerë që nuk kanë në zemër interesat më të mira të Shteteve të Bashkuara, për të thënë të paktën, mund të përfitojnë nga kjo… Ne jemi të përgatitur të punojmë me këdo në Siri që dëshiron një të ardhme demokratike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për atë vend”, tha ai.
Komentet e Sullivan vijnë pasi presidenti i SHBA-së Joe Biden tha publikisht të dielën duke thënë se rënia e jashtëzakonshme e regjimit të Asadit është një “moment rreziku” dhe “mundësi historike” për vendin.