Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > SHBA-të ndërmjet Izraelit dhe botës arabe

SHBA-të ndërmjet Izraelit dhe botës arabe

Shkruan: Afrim Kasolli

Dy nga kthesat më befasuese të presidentit Trump në këtë javë, pa dyshim se mbeten qëndrimi i ri i tij se Ukraina mund ta rifitojë territorin humbur nga lufta me Rusinë, ngase kjo e fundit dita ditës po kolapson ekonomikisht, si dhe plani i ri i paqes në Rripin e Gazës.

Ky i dyti është diskutuar me liderët e botës arabe si dhe me presidentin e Republikës Turke, Rexhep Erdogan. Në linja të përgjithshme ai parasheh lirimin e të gjitha pengjeve që mbahen ende në tunelet nëntokësore në Gaza, një armëpushim permanent, eliminimin e Hamasit si forcë qeverisëse, një lloj protektorati të enklavës nga shtetet arabe, si dhe premtimin për ta parandaluar Izraelin për t’i aneksuar territoret e okupuara në Bregun Perëndimor. Aktualisht, shumica e liderëve të botës arabe janë pajtuar me konturat e këtij plani të ri të paqes. Mirëpo, mbetet të shihet se cili do të jetë pozicioni i dy aktorëve kryesorë që e mbajnë gjallë konfliktin, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu si dhe Hamasi?

Sidoqoftë, një zhvillim i tillë tregon hapur se është duke u shtuar gjithnjë e më tepër presioni mbi Uashingtonin. Dhe se Shtëpia e Bardhë nuk mund të shihet pafundësisht si mbështetëse e parezerve e politikave aktuale të Qeverisë së Izraelit dhe në të njëjtën kohë të ketë raporte të afërta ekonomike me disa nga shtetet në rajon.

Vazhdimi i kësaj praktike, jo vetëm që po bënë te pamundur jetësimin e mëtutjeshëm të projektit kryesor gjeopolitik të Presidentit Trump për pajtimin e Izraelit me shtetet arabe, nëpërmjet Marrëveshjeve Abrahamike, por është duke e rrezikuar edhe atë që është arritur deri më tani.

Është e vërtetë se shumë prej atyre shteteve në rajon janë monarki dhe ndikimi i opinionit publik nuk e ka peshën që i njëjti e gëzon në demokracitë perëndimore. Mirëpo, që nga “Pranvera Arabe”, është vërtetuar se pavarësisht stabilitetit që mund ta kenë në dukje të jashtme, megjithatë edhe ato shtete lehtësisht mund të përfshihen nga kaosi, nëse drejtuesit e tyre veprojnë hapur në kundërshtim me sentimentet publike. Dhe që nga lufta në Gaza disponimi i masave të përgjithshme arabe kundër Izraelit është shtuar tej mase. Madje pa përjashtuar as frustrimin gjithnjë e më të madh edhe me SHBA-të, ngase këto të fundit po shihen si bashkëfajtore për atë që po ndodh në rripin e Gazës, për shkak të raporteve specifike me Izraelin.

Në këtë drejtim, një skenar i tillë sot më së paku i konvenon SHBA-ve. Madje gjatë krizës së fundit ndërmjet Izraelit dhe Iranit, pozicioni i Uashingtonit dallonte dukshëm nga ai Tel Avivit, mbi qëllimet e atij eskalimi. Sepse nëse i fundit e kishte vendosur ndryshimin e regjimit si cak final politikave të tij kundër Teharanit, Presidenti Trump e ka bërë të qartë disa herë se e preferon vetëm shkatërrimin e kapacitete bërthamore të regjimit në Teheran, por jo edhe eliminimin e tij, pikërisht për shkak të pasojave të paparashikueshme që do mund t’i krijonte.

Gjithsesi, plani i ri i paqes në rripin e Gazës, i dizajnuar nga Presidenti Trump, do të jetë testi i tij kryesor diplomatik në Lindje të Mesme, jo vetëm për administratën e tij, por edhe për rolin e SHBA-ve në përgjithësi. A do të ruajë ky shtet ndikimin primar si në Izrael ashtu edhe botën arabe, apo do ta humb njërën për hir të tjetrës?

Në anën tjetër, disa liderë të vendeve evropiane, me qëllim që ta joshin gjithnjë e më shumë për ta shtuar presionin mbi Izraelin kanë filluat ta tundojnë me çmimin Nobel Për Paqe. Presidenti francez, Emmanuel Macron, para pak ditëve deklaroi se nëse Presidenti Trump arrin ta zgjidh konfliktin izraelito-palestinez, ai pa mëdyshje do ta meritonte trofeun e shumë ëndërruar. /TV Arbëria