Të paktën katër persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një sulmi me armë zjarri, në një shkollë të mesme në Xhorxhia të mërkurën, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters duke i referuar rrjetit televiziv CNN.
Përveç katër të vrarëve, rreth 30 të tjerë u plagosën në shkollën e mesme Apalachee në qytetin Winder, njoftoi CNN-i, duke cituar burime të policisë. Por jo të gjitha lëndimet dukej se ishin shkaktuar nga armë zjarri, disa persona ishin plagosur në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja.
Në një deklaratë të zyrës së sherifit të qarkut Barrow, thuhej se një person i dyshuar si autor i sulmit, ndodhej në paraburgim.
“Kjo që ndodhi ishte një akt i rëndë”, tha Sherifi Jud Smith gjatë një konference të shkurtër për shtypin në mjediset pranë shkollës.
Zoti Smith nuk konfirmoi se numrin e personave të vrarë, duke thënë se kishte një numër të madh të plagosurish.
Forcat e sigurisë e vunë situatën nën kontroll dhe nxënësit u lanë të lirë të largohen, tha një zëdhënës i shkollave të Qarkut Barrow.
Televizioni ABC News citoi një dëshmitar, nxënësin Sergio Caldera, tek tha se ai ishte ndodhej në orën e kimisë kur dëgjoi të shtëna armësh. Caldera, 17 vjeç, i tha ABC-së se mësuesja e tij kishte hapur derën, por një tjetër mësues që po vraponte i tha asaj ta mbyllte menjëherë pasi “një person me armë zjarri ndodhej në shkollë”.
Ndërsa nxënësit e mësuesit ndodheshin në klasë, dikush kishte trokitur në derë dhe kishte bërtitur disa herë, duke kërkuar që ta hapnin. Në momentin që nuk po dëgjoheshin më të trokitura, Caldera tha se dëgjoi të të shtëna e britma. Ai tha se klasa e tij ishte evakuuar më vonë.
Zyra e FBI-së në Atlanta dërgoi agjentë në shkollën e mesme për të mbështetur strukturat lokale të zbatimit të ligjit, tha Jenna Sellitto, një zëdhënëse e zyrës.
Shtëpia e Bardhë tha nëpërmjet një deklarate se Presidenti Joe Biden ishte informuar rreth ngjarjes dhe shtoi se administrata “do të vazhdojë të koordinohet me zyrtarët federalë, shtetërorë e lokalë, ndërsa vijon të marrë më shumë informacion”.
Shtetet e Bashkuara janë ndeshur me qindra raste të sulmeve me armë zjarri brenda shkollave dhe kolegjeve në dy dekadat e fundit. Më i përgjakshmi ai në Virgnia Tech në vitin 2007, që rezultuan në mbi 30 të vdekur. Sulmet kanë ndezur debate të ashpra mbi ligjet për armët dhe Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, që garanton të drejtën “për të mbajtur armë”./VOA