SHBA-ja ka akuzuar dhe sanksionuar drejtuesit e mediave shtetërore ruse dhe ka kufizuar transmetuesit e lidhur me Kremlinin, pasi akuzoi Moskën për një fushatë të përhapur për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.
Departamenti i Drejtësisë, i shtetit dhe i Thesarit njoftuan veprime të koordinuara të mërkurën, për të “kundërshtuar në mënyrë agresive” operacionet e supozuara.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland akuzoi transmetuesin shtetëror RT, dikur Russia Today, se i kishte paguar një firme në Tennessee 10 milionë dollarë për të “krijuar dhe shpërndarë përmbajtje tek audienca amerikane me mesazhe të fshehura të qeverisë ruse”.
Shefja e RT, Margarita Simonyan, ishte një nga 10 personat e sanksionuar për tentativa të dyshuara për të dëmtuar “besimin e publikut në institucionet tona”, e RT ka mohuar përfshirjen.
Garland tha se Moska dëshironte të siguronte një “rezultat të preferuar” në garën midis Donald Trump dhe Kamala Harris.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se programi i Rusisë kishte për qëllim “zvogëlimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën, forcimin e politikave dhe interesave pro-ruse dhe ndikimin e votuesve këtu në SHBA”.
Ndërkohë, një zyrtar i Thesarit tha se RT dhe media të tjera shtetërore ruse ishin përfshirë në një “fushatë të ligë për të rekrutuar fshehurazi ndikues amerikanë në mbështetje të aktivitetit të tyre keqdashës”.
“Pjesa më e madhe e përpjekjeve të Kremlinit për dezinformim drejtohet dhe financohet nga RT. RT nuk është më vetëm një krah propagandistik i Kremlinit. Po përdoret për të avancuar veprimet e fshehta të ndikimit rus”, tha Kirby.