Rreth 24 milionë emigrantë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në bazë të analizave të të dhënave të regjistrimit të popullsisë amerikane nga Qendra Kërkimore Pew. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, bisedoi me dy shtetas të rinj amerikanë lidhur me mënyrën se si i shohin kandidatët për Shtëpinë e Bardhë.
Laban Seyoum është drejtues i një kompanie të vogël kamionësh në Jessup të shtetit Merilend. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij në vitin 2000 për t’i shpëtuar luftës midis Etiopisë dhe Eritresë.
Zoti Seyoum thotë se ai është konservator për sa u përket çështjeve sociale dhe ekonomike dhe është mbështetës i kandidatit republikan për president, Donald Trump.
“Kur Presidenti Trump ishte në pushtet, kishim një biznes mjaft të mirë. Tregu ishte në gjendje të mirë, mundësitë e punësimit ishin të mëdha dhe njerëzit ishin optimistë”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Seyoum.
Si anëtar i Partisë Republikane, ai kandidoi për të fituar emërimin e partisë së tij për Senatin e shtetit të Merilendit. Ai thotë se bizneset si kompania e tij po e ndjejnë barrën e çmimeve të larta të karburantit, për të cilat fajëson demokratët.
“Aktualisht çmimi i naftës po luhatet mes 1:30 dhe 1:45 dollarë për litër duke ulur ndjeshëm fitimet e biznesit tonë”, thotë zoti Seyoum.
Ndërsa e kupton se çmimi i naftës në tregun global përcaktohet nga shumë faktorë kompleks, ai thotë se republikani Trump ofron zgjidhjen.
“Trumpi ka treguar se si arrihet kjo. Duhet të nxjerrim naftën në vend dhe pastaj mund të konkurrojmë. Nuk është e nevojshme të eksplorojmë ideologji të tjera”.
Fatmata Barrie ka tjetër mendim. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Sierra Leone kur ishte 11 vjeçe. U diplomua në drejtësi dhe punon si organizatore për komunitetin dhe të drejtat civile. Ajo drejton bordin që mbikëqyr punën e policisë në qarkun Montgomery në Merilend. Ajo thotë se mbështet demokraten Kamala Harris.
“Nënpresidentja Kamala Harris është një person për njerëzit. Ajo është personi që na duhet tani për të kapërcyer ndasitë që ka vendi”.
Zonja Barrie thotë se fitorja e zotit Trump përbën shqetësim.
“Unë jam e frikësuar. Po rikthehet përsëri frika mes emigrantëve. Frika mes njerëzve me ngjyrë. Është e vështirë kur i sheh njerëzit të pajtohen me njeriun që udhëheq këtë frikë”.
Zonja Barrie është vullnetare në një organizatë bamirëse. Ajo thotë se përfitimet ekonomike nuk po ndjehen njëlloj për të gjithë.
“Kontrasti në thelb është se 0.1% e njerëzve do të kenë të gjitha paratë dhe të gjithë ne do të vuajmë pasojat nëse votoni për Trumpin. Amerika nuk është ndërtuar në këtë mënyrë. Amerika u bë e fortë falë punës së klasës së mesme”, thotë zonja Barrie.
Organizata Pew thotë se shtetasit e rinj amerikanë përbëjnë rreth 10% të elektoratit dhe shumica e tyre kanë jetuar këtu për më shumë se 20 vjet. /VOA