Një projektligj që synonte forcimin e mbrojtjes për gazetarët nuk u miratua në Senat të martën në mbrëmje, pasi u bllokua nga senatori republikan Tom Cotton.
Nisma synonte miratimin e një ligji federal për mbrojtjen e gazetarëve që të mos detyrohen nga qeveria të tregojnë informacione siç është identiteti i burimeve të tyre. Projektligji i quajtur “PRESS” gjithashtu do të kufizonte konfiskimin nga autoritetet të të dhënave të mbledhura nga gazetarët, pa njohurinë e tyre.
Pothuajse çdo shtet amerikan, si dhe kryeqyteti Uashingtoni, kanë ligje të tilla mbrojtëse, apo vendime gjyqësore, që njohin të drejtën e mbrojtjes së burimeve, por Shtetet e Bashkuara nuk kanë një ligj të ngjashëm në nivelin federal.
Dhoma e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, e kishte miratuar unanimisht projekt-ligjin ‘PRESS”, në muajin janar.
Megjithatë, përpjekja për ta miratuar unanimisht edhe në Senat dështoi të martën pasi u bllokua nga Senatori Tom Cotton. Çdo senator ka të drejt të bllokojë miratimin e një projektligji, nëse është hedhur në votim me qëllimin që të miratohet unanimisht.
Gjatë fjalimit, republikani Cotton tha se po e bllokon miratimin pasi ka shqetësime mbi sigurinë kombëtare.
“Miratimi i këtij projektligji do ta bënte Senatin e Shteteve të Bashkuara një bashkëpunëtor të zyrtarëve, të siustemit që njihet si “deep state”, ‘shtet paralel’, që nxjerrin informacione të paautorizuara, bashkëpunëtor të tradhtarëve dhe kriminelëve si dhe gazetarëve që rendin pas famës dhe urrejnë Amerikën”, tha Senatori Cotton.
“PRESS”, megjithatë bën përjashtime në zbulimin e identitetit të burimeve që kanë lidhje me terrorizmin dhe situata të tjera urgjente.
Senatori demokrat Ron Wyden, e kundërshtoi fjalimin e kolegut republikan Cotton.
“E kuptoj që sot nuk kemi konsensus unanim dhe kjo është për të ardhur keq. Unë mendoj se Amerika do të bëhej me e fortë dhe më e lirë nëse do e miratonim këtë ligj sot. Ne do ta sjellim atë sërish për votim”, tha Senatori Wyde, duke shtuar se “ky projektligj është shumë i rëndësishëm. Liria e fjalës është një prej themeleve jetike që e bën vendin tonë të veçantë”.
Organizatat që mbrojnë lirinë e shtypit shprehën zhgënjimin për mos miratimin e projektligjit.
“Ky është një projekt-ligj i arsyeshëm me mbështetje të gjerë dypartiake”, i tha Zërit të Amerikës Gabe Rottman, drejtor i politikave në Komitetin e Gazetarëve për Lirinë e Shtypit. “Është koha për ta miratuar atë”.
Pasi zoti Donald Trump fitoi zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë në nëntor, disa prej këtyre organizatave thanë se po bënin përpjekjen përfundimtare për ta miratuar projektligjin në Kongres dhe që Presidenti Joe Biden ta nënshkruante atë para se të largohej nga detyra.
Presidenti i zgjedhur Trump ka kërcënuar më parë se do të burgosë gazetarët nëse ata nuk zbulojnë burimet e tyre nga artikujt që ai beson se kanë implikime të sigurisë kombëtare.
Muajin e kaluar, përmes rrjeteve sociale, ai u bëri thirrje republikanëve që të mos e miratonin këtë projektligj./VOA/