Një bashkëpunim ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e tre personave, dy nga Kosova dhe një nga Shqipëria nën dyshimin se për vite me radhë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Pas kësaj ka reaguar Prokurori i Shtetit në Distriktin e Floridës në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Kjo Prokurori ka lëshuar komunikatë për shtyp pas arrestimit dhe kanë bërë të ditur është arrestuar një person nga Gjilani me emrin, Liridon Masurica, për të cilin ka ngritur aktakuzë dhe ka kërkuar ekstradimin e tij për në ShBA.
Masurica, siç thuhet në komunikatë, kërkohet për komplote mashtrimi me pajisje aksesit dhe pesë akuza thelbësore për përdorimin mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të aksesit të paautorizuar.
Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burg federal.
Komunikata e plotë:
Tampa, Florida – Prokurori i Shteteve të Bashkuara Roger B. Handberg njofton ngritjen e aktakuzës dhe arrestimin e Liridon Masurica (33, Gjilan, Kosovë), një shtetas i Kosovës i njohur gjithashtu si “@blackdb”. Masurica është marrë sot në paraburgim nga autoritetet në Kosovë. Autoritetet amerikane po ndjekin ekstradimin e Masuricës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të traktatit të ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.
Më 3 dhjetor 2024, juria në Distriktin e Mesëm të Floridës ktheu një aktakuzë që akuzonte Masurica-n me një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisjen e aksesit dhe pesë akuza thelbësore për përdorimin mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të aksesit të paautorizuar. Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burg federal.
Sipas aktakuzës, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc-një treg kriminal në internet që funksionon nga viti 2018 e deri më tani. BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e komprometuara të llogarisë dhe serverit, informacionin e kartës së kreditit dhe informacione të tjera të identifikueshme personalisht të individëve të vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata që ndodhen brenda distriktit të mesëm të Floridës. Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë përdorën artikujt e blerë në BlackDB.cc për të lehtësuar një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë mashtrimin tatimor, mashtrimin e kartave të kreditit dhe vjedhjen e identitetit.
Një aktakuzë është thjesht një akuzë formale se një i pandehur ka kryer një ose më shumë shkelje të ligjit penal federal, dhe çdo i pandehur prezumohet i pafajshëm, përveç nëse dhe derisa të provohet fajësia.
Ky hetim është udhëhequr nga Byroja Federale e Hetimeve dhe IRS-Hetimi Kriminal dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës. Ai do të ndiqet penalisht nga Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Carlton C. Gammons. Një ndihmë e konsiderueshme u ofrua nga Zyra e Atasheut Ligjor të FBI-së në Sofje, Bullgari dhe Zyra për Çështjet Ndërkombëtare e Departamentit të Drejtësisë. Po ashtu, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria e Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme në arrestimin e Masuricës.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova. Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”. Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patent shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online.”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar.
“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti.”, thuhet tutje në komunikatë.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Kriptovaluta; kompjuterë llaptop; shtëpiza kompjuteri; telefona mobil dhe pajisje memorizuese;
Po ashtu është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
“Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.”, thuhet në njoftim.