Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > SHBA-ja me aleatë bëjnë thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

SHBA-ja me aleatë bëjnë thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian me aleatë kanë bërë thirrje për një armëpushim të përkohshëm në Liban, pas përshkallëzimit të luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Blloku prej 12 shteteve kërkoi ndërprerje të menjëhershme 21-ditore të luftimeve, në mënyrë që të “mundësohet hapësirë drejt një zgjidhjeje diplomatike” dhe një armëpushimi në Rripin e Gazës.

Në një komunikatë të përbashkët, këto vende thanë se luftimet janë të “patolerueshme” dhe se ato paraqesin “rrezik të papranueshëm për një përshkallëzim rajonal”, i cili nuk është në interes të popullit të Izraelit e as të Libanit.

Kjo kërkesë vjen një ditë pasi ushtria izraelite tha se bombardimet ndaj shënjestrave të Hezbollahut – grupit militant të shpallur organizatë terroriste nga SHBA – mund ta hapin rrugën për një ofensivë tokësore në Liban.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga SHBA-ja, Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe Katari.

SHBA-ja shpreson se armëpushimi i përkohshëm mund të çojë drejt stabilitetit afatgjatë përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, të cilat u përshkallëzuan javën e kaluar duke nxitur frikën për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e hëna, kur Izraeli filloi bombardimet e pareshtura për ta shkatërruar atë që e quajti infrastrukturë të ndërtuar nga Hezbollahu prej luftës së fundit mes tyre më 2006.

Rreth 90.000 njerëz në Liban janë zhvendosur vetëm këtë javë, sipas OKB-së. Rreth 40.000 të tjerë jetojnë në shatorre nëpër vend.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se synojnë ta përdorin armëpushimin trejavor për t’i rifilluar bisedimet e ngecura për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe për lirimin e pengjeve.

Hamasi është një tjetër grup i mbështetur nga Irani por i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi.

Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore dhe konflikti është rritur prej atëherë.

Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme ndaj Izraelit derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit u futën furishëm në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka vrarë mbi 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës./REL

Powered by WordPress