Pak pasi Navanly vdiq, aleatët e tij thanë se Moska ishte përfshirë në bisedime me Perëndimin për një këmbim të të burgosurve ku do të përfshihej edhe politikani.
Disa javë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha gjithashtu se ishte i gatshëm ta lironte Navalnyn në një këmbim të burgosurish, me kusht që ai të mos kthehej kurrë më në Rusi.
Sullivan, duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë pas njoftimit për lirimin e 16 të burgosurve nga burgjet e Rusisë dhe Bjellorusisë në këmbim të lirimit të tetë rusëve, tha se në kohën e vdekjes së Navalnyt, zyrtarët po bisedonin për një këmbim të mundshëm që do ta përfshinte Vadim Krasikovin.
Krasikov, njëri nga tetë rusët e liruar në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht, ishte dënuar për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin më 2019.
Pasi Navalny vdiq në një burg në Arktik në rrethana të dyshimta më 16 shkurt, zyrtarët e lartë amerikanë bënë përpjekje edhe më të mëdha për ta nxitur Gjermaninë ta lirojë Krasikovin.
Disa prej bashkëpunëtorëve të Navalnyt u liruan, përfshirë Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeyeva, dhe Vadim Ostanin. Në këmbim u përfshi edhe politikani opozitar rus, Ilya Yashin, një kritik i madh i Kremlinit.
Aleati më i ngushtë i Navalnyt, Leonid Volkov, tha se këmbimi historik i të burgosurve ndodhi shumë vonë për mikun e tij, raporton REL.