Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > SHBA ende pa vendim për çështjen e bashkëpunimit me MPB-në

SHBA ende pa vendim për çështjen e bashkëpunimit me MPB-në

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se nuk ka marrë ende asnjë vendim lidhur me çështjet e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe elementet e saj vartëse.

Deklarata e ambasadës vjen pas raportimit nga TV Dukagjini, ku burimet kishin bërë të ditur se disa trajnime të Policisë së Kosovës ishin anuluar si pasojë e veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në katër komunat veriore.

Por, sipas përgjigjes së dërguar Dukagjinit, kjo çështje është ende në shqyrtim.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe për momentin nuk kemi marr asnjë vendim”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Dukagjinin.

Një ditë pas raportimit të TV Dukagjinit dhe pasi nuk ofruan përgjigjet e kërkuara, Policia e Kosovës ka vendosur që të reagojë përmes një komunikate për media rreth trajnimeve dhe avancimeve profesionale të tyre dhe bashkëpunimit me SHBA-të.

PK-ja ka thënë se trajnimet nuk janë ndërprerë për asnjë periudhë kohore dhe se ato vazhdojnë të realizohen, por nuk e ka mohuar raportimin e RTV Dukagjinit.