Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka shprehur shqetësimin për ngarkesën që po krijon rritja e çmimeve në sektorin e shërbimeve publike, sidomos në energjinë elektrike.
Në emisionin “Debat Analizë”, ai ka theksuar se qytetarët po përballen me sfida të mëdha financiare për shkak të kostove të rritura të jetesës.
Duke iu referuar të dhënave nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), Shatri ka theksuar se çmimi mesatar i shitjes së energjisë elektrike për 10 muajt e vitit 2024 ka arritur në 8.1 cent/kWh (pa TVSH), nga 5.6 cent/kWh në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 70%.
“Me të drejtë janë të shqetësuar qytetarët për ngarkesën që bëhet në fondin e pagave dhe për shpenzimet për shërbimet publike. Një pjesë specifike e këtyre shpenzimeve është energjia elektrike, çmimi i së cilës është rritur mbi 40% gjatë vitit 2023, sipas llogaritjeve të mia”, ka theksuar Shatri.
“Kjo është një rritje shumë më e përshpejtuar sesa rritja e të ardhurave personale, pensioneve dhe shtesave sociale. Për pasojë, kjo barrë e rritur e shpenzimeve është e paevitueshme për qytetarët, sepse faturat e energjisë duhet të paguhen patjetër në fund të çdo muaji”, ka thënë tutje ai.