Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Shaqiri entuziast për Kosovën dhe Shqipërinë

Shaqiri entuziast për Kosovën dhe Shqipërinë

Futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri ka shprehur gëzimin e tij për arritjet historike të Kosovës dhe Shqipërisë në kualifikueset për Botërorin 2026.

Në një intervistë për portalin zviceran Watson, ai vlerësoi zgjerimin e listës së shteteve pjesëmarrëse dhe tha se është pozitive që edhe vendet më të vogla po marrin shansin për të treguar veten.

“Mirë që po u jepet mundësia shteteve më të vogla, si Shqipëria dhe Kosova,” tha 34-vjeçari, duke nënvizuar rëndësinë e këtij progresi.

I pyetur për vlerën që do të kishte një kualifikim për Kosovën, Shaqiri nuk e fshehu entuziazmin.

“Do të ishte turneu i parë i madh për ta. Fakti që ende kanë shans tregon për progresin e bërë. Po shihet që më shumë lojtarë të mirë duan të luajnë për Kosovën dhe e përballojnë presionin. Tani janë lojtarë nga liga të forta, gjë që ndihmon shumë ekipin”, shtoi anësori.

Së fundmi, Kosova përfundoi e dyta në grupin e saj kualifikues evropian, pas Zvicrës, duke lënë pas Slloveninë dhe Suedinë.

Në Play Off, në mars, do të përballet me Sllovakinë, ndërsa fituesi i këtij dueli do të presë në Prishtinë fituesin e sfidës Turqi-Rumani, në duelin për të siguruar biletën për Botëror.