Kryetari i komunës, Shaqir Totaj, ka reaguar publikisht ndaj ligjit të miratuar për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke e cilësuar atë si një vendim të papranueshëm që cenon decentralizimin dhe autonominë lokale në Kosovë.
Në reagimin e tij drejtuar qytetarëve, Totaj thekson se me këtë ligj kompetencat e inspektorateve komunale në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë po hiqen nga komunat dhe po centralizohen në nivel qendror.
Sipas tij, ky veprim bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat garantonjnë decentralizimin si standard bazë të demokracisë lokale.
“Komuna nuk është degë e administratës qendrore, por institucion i të zgjedhurve nga qytetarët,” thuhet në reagim, ku theksohet se inspektorati komunal ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e konsumatorëve, bizneseve lokale dhe rendit në treg.
Totaj paralajmëron se heqja e këtyre kompetencave nuk përbën reformë, por centralizim që, sipas tij, rrit burokracinë dhe e largon shtetin nga qytetari. Ai shton se një qasje e tillë mund të hapë rrugë për marrjen e kompetencave të tjera komunale edhe në fusha të rëndësishme në të ardhmen.
Në fund të reagimit, kryetari i komunës thekson se nuk do të heshtë përballë vendimeve që, sipas tij, dëmtojnë autonominë lokale dhe interesin e qytetarëve, duke nënvizuar se “decentralizimi është themel i shtetit demokratik” dhe se “pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të fortë”.