Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka ftuar Qeverinë dhe deputetët të reflektojnë për zgjidhjen e çështjes së minatorëve të Trepçës, të cilët tash e tri ditë janë në grevë për shkak të mungesës së pagave dhe kushteve të rënda të punës.
Shala, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po shqyrtohet shkarkimi i kryesueses dhe anëtarëve të Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), tha se nuk ka asnjë pikë më të rëndësishme se sa gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës, të ngujuar në nëntokë.
“Ne si Grup Parlamentar nuk marrim pjesë në shkarkim dhe sigurisht kjo do të vazhdojë ashtu siç e keni planifikuar vetë. Ky rregullator i industrisë sot është ai që e ka sjellë situatën këtu, por jo me fajin e vetë sa me fajin e Qeverisë. Sot, në minierën “Trepça”, ndërmarrja bazike industriale minerare, po vazhdon dita e tretë e grevës”, theksoi ai.
Shala tha se minatorët kanë kërkesa elementare, sepse situata është në përkeqësim të skajshëm.
“Sot Trepça s’ka zhvillim, s’ka investime në teknologji, s’ka asnjë metër hulumtime të reja, s’ka sigurime të punëtorëve, s’ka ndryshim në legjislacion, s’ka menaxhment legal, ka ushtrues detyre. Sot s’ka prodhim, edhe ai që është është minimal. Sot janë mbi 10 milionë euro borxhe të ndërmarrjes Trepça. Sot minatorit nuk i paguhet as Trusti!”, shtoi ai.
Ndërsa, sa i përket Bordit të KPMM-së tha se ashtu siç është zgjedhur jashtëligjshëm në zyrat e Qeverisë Kurti, jashtëligjshëm edhe po shkarkohet sepse është jofunksional mbase personat e emëruar sigurisht nuk kanë qenë aq të dëgjueshëm ndaj pushtetit.
“Nëse kthehemi në retrospektivë, ky bord është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe me ndërhyrje direkte politike, e kemi thënë kur është zgjedhur. Të përzgjedhurit e kryeministrit Kurti, të intervistuar në Është zgjedhur jashtëligjshëm dhe sot po e njëjta strukturë po i shkarkon jashtëligjshëm prapë, sepse është ndryshuar ligji mbi të cilin ata janë zgjedhur dhe sot kemi një ligj të ri në funksion të dedikuar vetëm për shkarkim të anëtarëve tuaj. Si rezultat i kësaj rregullatori i minierave tashmë është jashtë funksionit. 255 lëndë që rregullojnë industrinë minerare presin për të marrë përgjigje e 250 kompani me mijëra punëtorë sot janë në pritje të vendimeve”, theksoi deputeti i PDK-së.
/TV Arbëria