Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, tha se Qeveria Kurti lëshon deklarata thuajse të përditshme në raport me sistemin e drejtësisë.
Shala tha se këto deklarata publike nga udhëheqësit e vendit paraqesin ndërhyrje në drejtësi.
“E kemi qartësuar se këto deklarata janë ndërhyrje, paraqesin shkelje kushtetuese, të standardeve ndërkombëtare, të etabluara nga Komisioni i Venecias, që nuk po i përsëritë etj etj, është çështje e pakuptimtë, sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial janë kritikuar në vazhdimësi dhe janë kërkuar reforma të ndryshme, por Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 51% të votave për ta reformuar sistemin e drejtësisë, jo për të na u bashkangjitur në kritikë. Ata kanë vazhdu me ba kritikën, por që në rastin konkret kritika e tyre nuk është kritikë që e bëj unë si OJQ, mediat etj, por është ndërhyrje”, tha Shala në Rubikon.
Duke folur për intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga Prokuroria Speciale, Shala tha se ky është një veprim normal i prokurorisë, pasi bëhet fjalë për sigurinë nacionale.
“Nëse ministrja e Drejtësisë thotë se Serbia ka impakt në burgjet e Republikës së Kosovës, minimumi çka duhet të bëjë prokurori i shtetit është ta thërras në intervistim, sepse e ka obligim kushtetues dhe ligjor t’u përgjigjet pretendimeve kaq të rrezikshme për sigurinë nacionale”, tha Shala.