Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës, ka publikuar një video teksa shihen pamja para hyrjes së minierës së Artanës, e cila ishte përmbytur nga horizonti i gjashtë.
Sipas tij, kjo përmbytje ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së profesionalizmit në minierë, shkruan Tv Arbëria.
Madje në reagimin e tij, Shala tha se kjo situatë nuk guxon të ndodhë, sepse pasojat do të jenë katastrofale.
“Dje në minierën e Artanës, kjo ishte pamja para hyrjes së saj – një përmbytje e rrezikshme nga horizonti i gjashtë, si rezultat i keqmenaxhimit dhe mungesës së profesionalizmit në minierë. Kjo situatë është e papranueshme dhe nuk guxon të ndodhë! Pasojat mund të jenë katastrofale, njerëzore, teknike dhe mjedisore”, tha ai.
Më tej Shala kritikoi qeverisjen aktuale për asnjë reagim lidhur me këtë situatë.
“Asnjë reagim institucional. Asnjë vlerësim apo prononcim nga shteti, nga dje deri më sot. Ndërkohë, bordi i KPMM-së, të gjithë në Kanada, kot me paratë e shtetit. Kështu qeveris Qeveria Kurti! Nëse asgjë tjetër, kjo është një vepër penale mjedisore (të paktën për aq sa duket jashtë minierës), po brenda në minierë, vetëm Zoti e di!?”, tha tutje Shala./TV Arbëria./