Të enjten u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e thirrur nga Serbia.
Aty u diskutua për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.
E kjo bëri që të ketë përplasje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Po ashtu, gjatë mbledhjes, shtete të ndryshme, sikurse Franca, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia si dhe Shtetet e Bashkuara, u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.
Diskutimin në KS, e ka komentuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala.
Ai për Front Online ka thënë se në seancën e Këshillit të Sigurimit askush nuk i dha të drejtë Kosovës.
“Një seancë në të cilën Kosovës nuk i dha të drejtë askush, përfshirë të gjithë aleatët”, ka thënë ai.
Përballja sy më sy e Kurtit me Vuciqin në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deputeti Shala tha se nuk ka kurrfarë ndikimi.
“Ndërsa ballafaqimi i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë, në formatin në të cilin funksionon dhe vendos KS i OKB-së, nuk ka kurrfarë ndikimi”, deklaroi ai shkurtimisht.
Në mbledhjen në OKB, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke ndaluar përdorimin e dinarit.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.
Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësht trysnisë që iu bë ndërkombëtarëve.