Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shaban Syla: Kam pasur ofertë që të zhvendosem në Zelandë të Re, vetëm që t’i njollos njerëzit e UÇK-së

Shaban Syla: Kam pasur ofertë që të zhvendosem në Zelandë të Re, vetëm që t’i njollos njerëzit e UÇK-së

Shaban Syla ka dëshmuar se ka pasur oferta nga prokurorë e hetues të EULEX-it që të lirohet nga akuza në rast se dëshmon kundër Azem Sylës, ish-deputetit të Partisë Demokatike të Kosovës dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Syla, në vazhdimin e gjykimit të rastit “Toka” të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, akuzoi një prokuror të EULEX-it për shantazh.

Shaban Syla është njëri 18 personat e akuzuar për rastin “Toka”, në të cilin për vepra të ndërlidhura me krim të organizuar akuzohet edhe Azem Syla.

Në gjykimin e sotëm, i akuzuari Shaban Syla deklaroi se nuk i qëndron pas deklaratës së tij të dhënë në Prokurorinë Speciale gjatë marrjes në pyetje.

Ai deklaroi se prokurori i rastit, një prokuror i huaj i EULEX-it, e kishte shantazhuar me qëllim që ta pranojë se ka marrë para nga komandanti Azem Syla me qëllim që ai të lirohet nga aktakuza.

“Nga viti 2009 deri më sot jam shantazhuar nga këta prokuror e hetues vetëm që ta dëmtojë UÇK-në. Kam pasur oferta të shumta të shkojë në Zelandë të Re vetëm që t’i njollos këta njerëz”, thotë Syla.

“Te gjitha këto janë bërë me qëllim që ta njollosin UÇK-në”, u shpreh Syla para trupit gjykues. “Nga kjo aktakuze ose nga aktakuzat e kaluara jam dëmtuar familjarisht nga këto shpifje te ulëta, nga Brukseli e nga shqipfolësit. Kam pasu infarkt e sëmundje të rënda”, shtoi ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është vecuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

/TV Arbëria