Indeksonline ka raportuar më herët gjatë ditës lidhur me disa dyshime se ushtarë serbë kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Në një prononcim për Indeksonline, një qytetar ka treguar se gjatë kalimit në Bervenik të Podujevës, në pikën e KFOR-it, dyshohet se ka parë forca serbe ku i kanë drejtuar armën në momentin që është parë.
“Në pikën ku rrin KFOR-i gjithmonë, nuk ka pas pjesëtarë të KFOR-it, kur i pava ata mendova që janë KFOR-i ata ishin kanë xhandarmëria, në moment që na kanë parë që jemi duke i kqyrë na i kanë drejtu armët, armë të rënda, mitroloz”, ka thënë qytetari për Indeksonline.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i
Nga KFOR-i thonë se informacioni ishte i pasaktë dhe se nuk e pasqyron atë që ka ndodhur në të vërtetë.
“Sot, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative. Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative” ka thënë mes të tjerash KFOR-i, në një reagim zyrtar.