Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sfida të vazhdueshme në përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim

Sfida të vazhdueshme në përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim

avarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, qasja dhe mbështetja e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor të vendit vlerësohet ende sfiduese.

Drejtoresha e Qendrës Burimore “Përparimi”, Drita Dushi, tha se mbështetja e këtyre fëmijëve është mbështetje për gjithë shoqërinë.

“Sot gjendja e fëmijëve me nevoja të veçanta është në një nivel mesatar. Institucionet vendore janë të angazhuara, por gjithmonë ka vend për më shumë. Investimet e Ministrisë së Arsimit në nivelin e pestë të përgatitjes për nevojat e veçanta tregojnë se po ecim drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Edhe shkollat e rregullta kanë shfaqur interesim për mbështetjen e këtyre nxënësve, por puna duhet të vazhdojë”, u shpreh Dushi.

Sipas saj, rreth katër mijë nxënës me nevoja të veçanta janë të integruar në shkollat e rregullta, ndërsa rreth 300 të tjerë ndjekin mësimet në gjashtë Qendrat Burimore në nivel vendi. Në Qendrën “Përparimi” frekuentojnë mbi 100 nxënës, kryesisht me nevoja të veçanta intelektuale. Qendra të ngjashme funksionojnë në Prizren, Gjakovë, Shtime dhe Mitrovicë, përfshirë edhe ato të specializuara për nxënës me probleme të dëgjimit, të parit dhe të verbërisë.

Megjithëse përfshirja në klasat e rregullta është rritur, Dushi thekson se sfidë mbeten kapacitetet:

“Në klasat me mbi 30 nxënës, një mësimdhënës nuk mund të përballojë edhe punën me nxënësit me nevoja të veçanta pa mbështetjen e asistentëve. Prandaj, është e domosdoshme shtimi i asistentëve, sepse roli i tyre është thelbësor për zhvillimin e këtyre fëmijëve.”

Ajo shtoi se në shumë shkolla mungojnë ende kushtet elementare, si pjerrinat për qasje të fëmijëve në karrocë. “Nëse nuk sigurojmë qasjen themelore, nuk mund të presim përfshirje të mirëfilltë. Përfshirja nuk duhet të jetë vetëm fizike, por edhe pedagogjike.”

Dushi u bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë investimet dhe të sigurojnë mbështetje të qëndrueshme për fëmijët me nevoja të veçanta, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri për një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.