Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Seuli thotë se Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë

Seuli thotë se Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë

Koreja e Veriut e ka furnizuar rishtazi Rusinë me sisteme shtesë të artilerisë, për ta mbështetur në luftën e saj kundër Ukrainës, ndërsa disa prej mijërave trupave koreanoveriore të zhvendosura në Rusi, kanë filluar të angazhohen në luftime tashmë, tha të mërkurën agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.

Vlerësimi i Seulit vjen pasi Rusia paralajmëroi të hënën se vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me armë amerikane me rreze të gjatë, i “hedh benzinë zjarrit” në luftë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se vendimi i Bidenit u nxit pothuajse kryekëput nga përfshirja e Koresë së Veriut në këtë luftë.

Në një seancë me dyer të mbyllur në Parlament, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut (NIS) tha se Koreja e Veriut ka dërguar në Rusi artileri vetëlëvizëse të llojit 170mm dhe sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240mm, sipas deputetit Lee Seong Kweun, i cili mori pjesë në seancë.

Lee u tha gazetarëve se NIS-i vlerësoi se këto armë janë një lloj artilerie që ushtria ruse nuk e përdor zakonisht, prandaj Koreja e Veriut ka gjasa të ketë dërguar personel për t’i mësuar rusët se si t’i përdorin ato dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre.

Javën e kaluar, kanale ruse në Telegram dhe postime të tjera në rrjetet sociale publikuan fotografi që duket se shfaqnin artilerinë vetëlëvizëse Koksan 170mm të Koresë së Veriut, duke u transportuar në Rusi përmes rrugës hekurudhore.

Financial Times, duke cituar inteligjencën ukrainase, raportoi të dielën se Koreja e Veriut ka dërguar në javët e fundit rreth 50 armë vetëlëvizëse të llojit 170mm dhe 20 sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240mm drejt Rusisë.

Sistemet e artilerisë janë armët më të fundit konvencionale që besohet se Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë, në një kohë kur këto dy vende po e zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak përballë konfrontimeve të ndara me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Muajin e kaluar, NIS-i tha se Koreja e Veriut i ka dërguar më shumë se 13.000 kontejnerë me artileri, raketa dhe armë të tjera konvencionale në Rusi prej gushtit të vitit 2023, për t’i ndihmuar Moskës t’i rimbushë rezervat e saj të pakësuara.

NIS-i tha të mërkurën se në fund të tetorit rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë u zhvendosën në rajonin Kursk të Rusisë – ku trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll pjesë të territorit këtë vit – pasi u stërvitën fillimisht në verilindje të Rusisë.

SHBA-ja, Ukraina dhe vende të tjera kanë vlerësime të ngjashme mbi numrin e ushtarëve koreanoveriorë të Rusi.

Ata thonë se ushtarët koreanoveriorë mbërritën në Rusi në tetor dhe se disa prej tyre janë angazhuar tashmë në luftime në rajonin e Kurskut.

Vëzhguesit thonë se pjesëmarrja e Koresë së Veriut në luftën gati 3-vjeçare rrezikon ta përshkallëzojë konfliktin./REL

Themes by WordPress