Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.
Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.
Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati “nuk është një shenjë e mirë”për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, thotë Serwer për REL-in.