Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka folur për takimin e fundit mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Në një intervistë për A2, Serwer ka thënë se dialogu duhet të shkojë në një drejtim më praktik sesa drejt normalizimit politik.
Sipas tij, as Serbia as Kosova s’janë gati për normalizim politik, por siç thotë ai, ka shumë çështje praktike që duhen zgjidhur.
“Mendoj se dialogu duhet të shkojë në një drejtim më praktik sesa drejt normalizimit politik. Më duket se as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë gati për normalizim politik, por ka shumë çështje praktike që duhen zgjidhur”, ka thënë profesori amerikan.
Ai ka komentuar edhe kushtet që kryeministri Kurti ka paraqitur gjatë për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“Epo, sigurisht, çdo vend mund të vendosë kushte. Pyetja është nëse mund t’i bëni njerëzit e tjerë të pajtohen me ta. Dhe unë nuk e di përgjigjen për këtë pyetje. Diplomacia e Kosovës duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. E dini, unë jam avokat i madh i idesë që Radoiçiçi të gjykohet në Kosovë. Nuk më pëlqeu letra e Brnabiç dhe mendoj se duhet të tërhiqet. Por nëse ka qenë e mençur të bëhen këto kushte për një takim me Vuçiç, duhet të presim dhe të shohim”, është shprehur Serwer.
Serwer ka folur edhe për mundësinë nëse Donald Trump zgjidhet sërish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se kjo nuk do ishte e mirë për Ballkanin Perëndimor pasi sipas tij, republikani mund të mbështesë botën serbe, përfshirë këtu ndarjen e Bosnjes, ndoshta edhe të Kosovës.
“Nuk mendoj se do të ishte mirë për Ballkanin Perëndimor. Unë mendoj se Trump do të ishte qartësisht i gatshëm të mbështeste idetë e botës serbe, duke përfshirë ndarjen në Bosnjës, ndoshta edhe ndarjen e Kosovës. Mendoj se na çon në një drejtim shumë të keq”, ka thënë ai.