Serbia për vitin 2026 ka në fokus rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe forcimin e infrastrukturës operative për Agjencinë e saj të Inteligjencës (BIA). Sipas dokumenteve zyrtare të projekt-buxhetit të Serbisë, BIA pritet të disponojë afro 89 milionë euro, një shumë dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e fundit.
Kjo ngritje buxhetore vjen në kohën kur në Kosovë është shënuar rritje e ndjeshme e arrestimeve për spiunazh në favor të Serbisë gjatë tre vjetëve të fundit.
Sipas drejtorit të institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, kjo rritje financiare e Serbisë ndaj BIA-s bart mesazhe të qarta për synimet e Beogradit kundër Kosovës.
Fetoshi për KosovaPress ka thënë se kjo qasje e Serbisë përfaqëson intensifikim të aktiviteteve hibride, duke pasur parasysh aktivitetet që lidhen jo vetëm me veriun e vendit, por edhe me përdorimin e rrjetit të spiunazhit brenda vendit.
“Fatkeqësisht, investim më i madh në aktivitetet hibride, jo vetëm kundrejt Kosovës, por një agjendë më e ngjeshur e Serbisë, në kuadër të politikës së tyre hegjemoniste për botën serbe. Natyrisht në veçanti ndaj Kosovës, duke pasur parasysh të gjitha aktivitetet që lidhen jo vetëm me veriun e vendit, por edhe me përdorimin gjithnjë e më agresiv të rrjetit të spiunazhit brenda Kosovës, në kuadër të qëllimeve të Serbisë për ta mbajtur gjendjen jo-stabile dhe për të nxitur në vazhdimësi tensione ndëretnike, duke instrumentalizuar komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Fetoshi.
Ai ka theksuar se Serbia po përballet me sfida më të mëdha si rezultat i punës së institucioneve të sigurisë së Kosovës.