Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur takim urgjent me disa ministra të Qeverisë së Serbisë, përfshirë kryeministren Ana Bërnabiq, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që euroja të jetë valuta e vetme, duke ndaluar edhe dinarin serb me të cilin Serbia u bënte pagesa serbëve në Kosovë.
Siç shkruan “Tanjug”, takimi është mbajtur në Presidencën e Serbisë. Aty raportohet të jetë diskutuar për hapat e ardhshëm që Beogradi do t’i ndërmarrë.
Shtetet e QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar nga Kosova që të pezullohet ky vendim i BQK-së, i cili është paraparë të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.