Shteti fqinj i Republikës së Kosovës, Serbia, po vazhdon trysninë ndaj punonjësve të komunitetit serb, të cilët po i shërbejnë institucionet të shtetit tonë, gjegjësisht në katër komunat veriore.
Raportohet se para disa javësh punonjës serbë të Administratës në Komunën e Zubin Potokut, janë ndaluar nga policia serbe për t’u marrë në pyetje në momentin që kanë kaluar nga territori i Kosovës në Serbi. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Ngjashëm po ndodh edhe me Policinë e Kosovës. Sipas Zëvendës drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani po u bëhet thirrje policëve të mos udhëtojnë në Serbi.
Së fundmi, Beogradi zyrtar ka përpiluar një listë emrash të punonjësve serb në institucionet e Kosovës, gjegjësisht në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Siç raporton Teve1, para disa javësh, disa punonjës në Administratën e komunës së Zubin Potokut, janë ndaluar nga autoritetet serbe për t’u marrë në pyetje.
Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri thotë se janë ndaluar pesë punonjës të komunës që udhëheq ai, ndërkaq thotë se ky është një presion i cili po bëhet nga qeveria e Serbisë ndaj qytetarëve serb.
“Ajo çfarë është e vërteta, është se kohëve të fundit, është një presion që bëhet nga ana e Serbisë. Është një vendim për listat e ndalimit të atyre njerëzve, personit që punojnë ose i afrohen institucioneve të Kosovës. Siç duket këta marrin informacione dhe i vendosin në lista të ndalimit në rast se, e kalon kufirin atje ndalohen dhe merren në pyetje. Kemi këso raste, janë 4-5 punonjës së zyrës në Administratën në komunën tek unë, që janë ballafaquar me këtë presion”, tha Zeqiri.