Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Senegali apo Maroku? CAS-i nesër e ‘shpall’ fituesin e AFCON 2025

Senegali apo Maroku? CAS-i nesër e ‘shpall’ fituesin e AFCON 2025

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) do ta publikojë të martën vendimin për ankesën e Senegalit kundër heqjes së titullit të Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON) të këtij viti.

Senegali po e konteston vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), e cila e shpalli Marokun kampion, pavarësisht se Senegali e kishte mposhtur vendin organizator me rezultat 1-0, pas vazhdimeve, në finalen e zhvilluar në janar në Rabat. Gjykata e ka konfirmuar të hënën se vendimi do të bëhet publik të martën.

Megjithatë, CAS nuk ka bërë të ditur orën e publikimit të vendimit.

CAS i kishte dëgjuar argumentet e Senegalit, Marokut dhe CAF-it në Lozanë, në fillim të muajit tetor.

Fillimisht, gjykata kishte premtuar se do të merrte një vendim brenda pak ditësh nga seanca e mbajtur më 8 tetor, por më pas vendosi të publikonte një aktgjykim të plotë, i cili përfshin edhe bazën ligjore të vendimit dhe njihet si “CAS Award”. Ky proces kërkon disa javë kohë.

Vendimet e CAS-it kanë të njëjtën vlerë si aktgjykimet e gjykatave kombëtare dhe mund të zbatohen në përputhje me Konventën e Nju Jorkut për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Arbitrazhit të Huaj. Në varësi të rrethanave, ato mund të zbatohen nga federatat sportive ose gjykatat shtetërore.

Në finalen e turneut, Senegali ishte larguar nga fusha për 14 minuta, pasi në minutat e fundit të kohës së rregullt ishte akorduar një penallti në favor të Marokut.