Organizata Shqiptaria përmes një reagimi ka shprehur shqetësim të thellë për fenomenin gjithnjë e më të shprehur të përdorimit të fesë në fushatat zgjedhore për kryetarë komunash.
Sipas reagimit, ky trend është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të laicitetit të shtetit të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Komunikatë për Media
Organizata Shqiptaria
Kundërshtim i hapur ndaj përdorimit të fesë për qëllime elektorale
Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin e saj të thellë për fenomenin gjithnjë e më të shprehur të përdorimit të fesë në fushatat zgjedhore për kryetarë komunash. Ky trend është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të laicitetit të shtetit të Kosovës.
Deklarata e kandidatit për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, për të liruar nga taksat dhe shpenzimet e energjisë të gjitha objektet fetare, nuk është as politikë sociale, as vizion qytetar. Ky është populizëm fetar dhe abuzim i qartë me ndjenjat fetare të qytetarëve për vota. Një qasje e tillë cenon barazinë qytetare dhe përdor fenë si instrument politik. Shteti nuk është hoxhë, as prift – shteti është i të gjithëve dhe nuk mban anë për asnjë fe.
Po ashtu, praktika e takimeve elektorale me klerikë dhe përfshirja e figurave fetare në fushata zgjedhore janë pjesë e të njëjtës strategji të rrezikshme të islamit politik dhe instrumentalizimit të fesë për pushtet. Ky precedent është i rrezikshëm dhe rrezikon të minojë kohezionin shoqëror.
Megjithatë, është inkurajuese që disa kandidatë po tregojnë përgjegjësi politike dhe qytetare. Bashkim Fazliu, kandidat për kryetar të Ferizajt, dhe Bekë Berisha, kandidat për kryetar të Prishtinës, kanë dëshmuar publikisht se e respektojnë shtetin laik dhe janë konsistentë në mbrojtjen e laicitetit dhe kulturës shqiptare në Kosovë. Ky është modeli i drejtë i lidershipit që duhet të ndiqet nga të gjithë.
Organizata Shqiptaria kërkon nga KQZ dhe PZAP të veprojnë me vendosmëri dhe të ndëshkojnë çdo përpjekje për përfshirjen e fesë në fushatë zgjedhore. Nëse nuk vendosen kufij të qartë dhe sanksione të rrepta, zgjedhjet rrezikojnë të shndërrohen në garë predikimesh fetare dhe jo programesh politike.
Laiciteti është themeli i lirisë dhe garancia e barazisë. Kush e cënon atë, nuk duhet të ketë vend në udhëheqjen e institucioneve publike.
Organizata Shqiptaria
Prishtinë, 22 shtator 2025