Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Sekuestrohen prona dhe para në Kosovë për trafikim droge në Suedi

Sekuestrohen prona dhe para në Kosovë për trafikim droge në Suedi

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre suedeze ka rezultuar me sekuestrimin e pronave të paluajtshme, parave të gatshme dhe një automjeti në Kosovë, në kuadër të një hetimi për trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje të parave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze ka çuar në arrestimin e personit me inicialet A.G. dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se janë fituar përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit, rasti tashmë ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe shënon rastin e parë kur autoritetet suedeze kanë arritur të konfiskojnë pasuri jashtë territorit të tyre.

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për zbatimin përfundimtar të vendimit për pasuritë e konfiskuara në Kosovë.

Ndërkaq, sipas komunikatës së autoriteteve suedeze, personi A.G. ishte arrestuar në rajonin e Goteborgut, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve në përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe shpëlarje të rëndë të parave.