Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sejdiu: Dialogu është tema kryesore e Qeverisë, shtesat s’e ndërtojnë ekonominë

Sejdiu: Dialogu është tema kryesore e Qeverisë, shtesat s’e ndërtojnë ekonominë

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se qeverisja aktuale gjatë katër vjetëve temë kryesore e ka pasur dialogun me Serbinë, duke shtuar se për ekonominë vetëm është diskutuar, por “pa ndërruar struktura ekonomike”.

Sejdiu ka deklaruar të enjten se Qeveria s’ka pasur investime të mëdha publike që do të ndikonin në jetën e qytetarëve, teksa ka shtuar se nëpërmjet shtesave nuk zhvillohet ekonomia.

“Mund të ketë pasur vizion, por kjo qeveri e ka vetëm dialogun me Serbinë temë. Për neve, dialogu po duket se po ecën mirë, por për tema kaq, ishte kjo. Nga një qeveri që fliste për ndihme karshi prodhuesve e stimulim të eksportit, përfunduam në qeveri që mundohet që pabarazinë ta trajtojë me shtesa. Shtesat nuk ndërtojnë ekonomi, nuk janë mënyrë për të rregulluar jetën tonë. Nëse po flasim për pagën minimale 350 euro, nuk po bëjmë asgjë”, ka deklaruar ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka shtuar tutje se kjo qeverisje e ka pasur pushtetin dhe shumicën për të bërë politika transformuese. Sipas tij, dështimet e pushteteve të kaluara po shfrytëzohen si alibi “për një lloj përmirësimi minimal të së tashmes”.

Sejdiu ka shtuar se politika e sotme nuk duhet të bëhet me çështje të kaluara. Ai ka thënë tutje se Qeveria e ka frikën që ministrat mund të korruptohen.

“…Nëse mendimi ekonomik është që frikësohet nga intervenimi në politika stimuluese që bëjnë një transformim, s’mund të presim diçka tjetër…Frika që mos po korruptohet një ministër e ka shtyrë Qeverinë që të mos investojë”, u shpreh ai.