Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Së paku 51 persona të vdekur nga përmbytjet në Spanjë

Së paku 51 persona të vdekur nga përmbytjet në Spanjë

Të paktën 51 persona dihet se kanë vdekur pasi shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi përmbytje në Spanjën juglindore, thanë autoritetet.

Spanja është goditur keq nga shirat e dendur dhe stuhitë, duke shkaktuar përmbytje në shumë rajone.

Përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar dhe presidenti i rajonit të Valencias, Carlós Mazón, tha se ishte “e pamundur” të jepej një numër i saktë i numrit përfundimtar të vdekjeve në këtë fazë.

Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë përmbytjet që shkaktuan kaos e rrëzuan ura, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Shërbimi Spanjoll i Motit raportoi se Chiva, në rajonin e Valencias, regjistroi 491 mm shi në vetëm tetë orë të martën – ekuivalente me shiun e një viti.

Stacionet e radiove dhe të televizioneve thuhet se kanë marrë qindra thirrje për ndihmë nga njerëz të bllokuar në zonat e përmbytura ose në kërkim të njerëzve të tyre të dashur, ndërsa shërbimet e urgjencës përpiqen të arrijnë disa zona.

Punonjësit e shërbimeve të urgjencës po përdorin dronë për të kërkuar të zhdukurit në komunën e Letur, e cila është prekur keq, tha zyrtarja lokale Milagros Tolon për stacionin televiziv publik spanjoll TVE.

“Prioriteti është gjetja e këtyre njerëzve”, tha ajo.

Mediat lokale raportuan se dhjetëra njerëz në Valencia e kaluan natën të bllokuar në kamionë ose makina, si dhe në çati dhe ura, duke pritur për t’u shpëtuar.

Powered by WordPress