![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka shprehur shqetësim për shkarkimin e drejtorëve te shkollave për inate politike. Sipas SBASHK-ut gjatë viteve të fundit janë regjistruar dhjetëra raste të shkarkimit të drejtorëve të shkollave për shkaqe politike. Edhe pse rastet janë fituar nga gjykata, ato nuk po zbatohen nga DKA-të.
Arben Zeqiri, ishte drejtor i shkollës “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë të Shtimes, por thotë se u largua nga posti i tij për shkaqe politike.
Zeqiri tash e një vit po kërkon rikthimin në vendin e tij të punës e në favor të tij vendosi edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, por deri tash nuk është zbatuar vendimi.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
“Më 13 korrik kam paraqitur kërkesën për pushim vjetor, kur se më 14 korrik unë jam shkarkuar nga pozita e drejtorit, kryekëput me inate politike që burojnë nga motive kryesisht politike. Pastaj unë kam kërkuar drejtësi në këtë proces dhe kam filluar kërkesë padinë në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe më 8 maj 2022 Gjykata Themelore ka dhënë verdiktin e saj dhe ka anuluar vendimin e pa ligjshëm të kryetarit të Komunës”, ka thënë Zeqiri.
Sipas SBASHK-ut, në të gjithë vendin janë dhjetëra raste që drejtorët janë shkarkuar për shkaqe politike pas ndërrimeve të pushteteve në komuna.
Fejzullah Vranovci, anëtar i Këshillit të përgjithshëm të SBASHK-ut, njëherësh kryetar i Sindikatës së Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se institucionet qendrore duhet të angazhohen në ndryshim të ligjeve që drejtorët e shkollave të zgjidhen nga vetë shkolla e jo nga komunat.
“Kemi raste edhe në komunën tonë që nuk është kthyer në vendin e punës dhe nuk punon, e ka kryer mandatin dhe nuk është në vendin e punës. Sa është shqetësuese po e marrim në përgjithësi në nivel të Kosovës se me një udhëzim administrativ është e padrejtë sepse shumica e drejtorëve më nuk konkurrojnë”, ka thënë Vranoci.
E marrim rastin e Kaçanikut e kemi raste edhe me Ferizajn e të tjerë se hapen konkurse dhe nuk konkurron askush, paga është e njëjtë si e mësimdhënësit, pse me marrë përgjegjësi”.
“Me ndryshimin e politikave po ndodhin edhe ndryshimet me drejtorët e shkollave gjë që nuk është dashur të ndodh. Duhet të bëhet një decentralizim i kolektivit të shkollave dhe përzgjedhja e drejtorëve të bëhet pak më e mirë, megjithatë ky problem është në krejt Kosovën”, ka thënë Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se çdo personi të zgjedhur në pozitën e drejtuesit të shkollës, sipas udhëzimeve administrative i ruhet vendi i punës në shkollën nga vjen.
“Çdo personi të zgjedhur në pozitën e drejtuesit të shkollës, sipas nenit 13 të këtij UA i ruhet vendi i punës në shkollën nga vjen. Si Ministri nuk kemi pranuar ndonjë ankesë që komunat e kanë privuar dikë nga kjo e drejtë. UA nr.151/2020, neni 6, paragrafi 3.1 përcakton se njëri nga anëtarët mund të jetë nga Këshilli i prindërve në nivel komune me kualifikim dhe ekspertizë në fushën e edukimit, por kjo vendoset nga komunat. Po ashtu në cilësinë e vëzhguesit janë edhe Këshilli drejtues i shkollës, një prind dhe një mësimdhënës”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
E Komuna e Shtimes nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)