Rreth 400 mësimdhënës të sëmurë rëndë vazhdojnë të punojnë në institucione arsimore, për shkak se ende nuk është gjetur një zgjidhje e përshtatshme për ta. Kështu thonë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), derisa kërkojnë nga qeveria aktuale tu mundësojnë atyre pagën e plotë dhe t’i zëvendësojnë me kuadro të reja.
Ndërkaq, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë quajnë fatkeqësi faktin që mësimdhënësit me sëmundje të rënda detyrohen të dalin në punë, për mos ta humbur vendin e punës.
Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë që mësimdhënësit e sëmurë rëndë të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë.
“Vazhdimisht e kemi shtruar edhe çështjen e punëtorëve me sëmundje të rënda në sistemin arsimor që nga çerdhet në universitet, ngase e kemi konsideruar se shteti ka obligim edhe njerëzor ndaj tyre ngase këta njerëz me këto sëmundje, kanë punuar më vite në arsim mirëpo sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata nuk janë më në gjendje të japin kontributin e kërkuar… Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet që këta njerëz të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë, arsyeja është humane ngase shpenzimet për shërimin e sëmundjeve të tyre janë tejet të mëdha dhe ata po i dërguam në ndonjë pension të vogël ata do t’i dëmtojmë dyfish”, thotë Jasharaj.
Jasharaj thotë se në bazë të të dhënave të mbledhura del se janë rreth 400 mësimdhënës me sëmundje kronike të angazhuar nëpër çerdhe e deri në universitete.
“Zgjedhja më meritore dhe më humane do të ishte që këta të lirohen nga procesi mësimor, në vend të tyre të aktivizohen kolegët që janë në pritje, që janë të papunësuar dhe kanë kryer shkollim të mjaftueshëm për sistemin arsimor. Në bazë të analizave që i kanë bërë të tjerët dhe shënimet i kanë dhënë DKA-të para disa viteve, ishte një numër pak më i vogël, mirëpo në diskutimet me MASHT-in dhe DKA-të kemi arritur një përfundim që ky numër mund të jetë 400. Kemi insistuar që të merret një numër mbase pak më i madh në mënyrë që kur të ndahet buxheti mos të ndodhë që të kemi buxhet për një numër më të vogël e pastaj t’ia bëjmë të padrejtë ndonjërit prej tyre”, vijon ai.