Mbrojtësi malazez Stefan Saviç është larguar nga Atletico Madrid pas plot 9 sezonesh me fanellën e “Los Colchoneros”. Lajmin e ka dhënë vetë klubi spanjoll, që nëpërmjet një komunikate zyrtare ka njoftuar se palët kanë vendosur të ndërpresin kontratën me marrëveshje.
“Kemi arritur marrëveshjen për ndërprerjen e kontratës me Stefan Saviç. Klubi i Atleticos falënderon shumë mbrojtësin për profesionalizmin dhe punën e tij gjatë këtyre nëntë viteve dhe i uron fat për sfidën e tij të re”, shkruhet në komunikatën e klubit madrilen.
Ndërkohë, media spanjolle bën me dije se Saviç ka arritur tashmë marrëveshjen me klubin e njohur turk, Trabzonspor. Mbrojtësi 33-vjeçar malazez pritet të fluturojë drejt Stambollit për të kryer testet mjekësore dhe pastaj firmosur një kontratë 2-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon.
Në të shkuarën Saviç ka qenë pjesë e Manchester City-t e Fiorentinës, teksa në 9 sezonet e fundit ka qenë titullar dhe ka luajtur plot 297 ndeshje me fanellën e Atleticos së Madridit.
Saviç bëhet qendërmbrojtësi i radhës që largohet nga skuadra e Diego Simeones, pasi më herët edhe Hermoso njoftoi se nuk do të rinovojë kontratën, që i skadoi më 30 qershor.