Gazetarja Saranda Ramaj ka reaguar ashpër ndaj akuzave publike se disa gazetarë dhe analistë janë paguar për të promovuar një kandidate për deputete nga LDK-ja, duke kërkuar transparencë dhe sqarime të menjëhershme nga të përfshirët.
Përmes një postimi publik, Ramaj ka krahasuar gazetarinë e vitit 2026 me atë të vitit 2012, kur, sipas saj, gazetarët ndiheshin shumë më të përgjegjshëm edhe për akuzat më të vogla që lidhnin profesionalizmin e tyre.
Ajo thekson se akuzat aktuale janë serioze dhe po bëhen me emër e mbiemër ndaj gazetarëve dhe opinionbërësve, ndërsa mungesa e reagimit vetëm sa po e dëmton më tej besimin e qytetarëve në media.
“Ka ndodhë diçka shumë e madhe. Nëse nuk sqarohen, këta gazetarë e opinionbërës ju japin zë krejt akuzave që janë ba ndër vite për media e gazetarë”, shkruan Ramaj.
Sipas saj, në rast se dikush do ta akuzonte për marrje parash për një opinion profesional, ajo do të dilte menjëherë publikisht për t’u ballafaquar me akuzat dhe për t’i demantuar ato.
Ramaj shtron pyetjen se si gazetarët mund t’u kërkojnë qytetarëve t’u besojnë raportimeve të tyre për korrupsionin dhe çështje të tjera me interes publik, nëse nuk reagojnë ndaj akuzave që prekin drejtpërdrejt integritetin profesional.
Në fund, ajo paralajmëron se relativizimi i këtyre akuzave ose trajtimi i tyre me humor rrezikon të dëmtojë edhe më shumë median dhe besimin e publikut ndaj saj.