Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Samiti për Ukrainën: Evropa reagon ndaj kursit të ri të SHBA – a priten rezultate?

Samiti për Ukrainën: Evropa reagon ndaj kursit të ri të SHBA – a priten rezultate?

SHBA këmbëngulin për negociata në luftën në Ukrainë. Krerët e shteteve e qeverive evropiane takohen sot në një samit të jashtëzakonshëm. Çfarë është në rrezik? Çfarë roli mund të luajë Evropa në një marrëveshje paqeje?

Pas iniciativës së presidentit amerikan Donald Trump për negociata për luftën kundër Ukrainës, Franca po pret sot një samit të disa vendeve evropiane. Qëllimi është të diskutohet situata në Ukrainë dhe “sfidat për sigurinë në Evropë”.

Për se bëhet fjalë në samit?

Çështja kryesore është se si duhet të reagojë Evropa ndaj ndryshimit drastik të kursit të SHBA-së ndaj Ukrainës. Synimi është të detyrohet Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe Presidenti rus Vladimir Putin të negociojnë një fund të luftës dhe të transferohet përgjegjësia për sigurimin e një marrëveshje paqeje te evropianët.

Për këtë qëllim, Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane i është kërkuar kohët e fundit të japin informacion mbi kontributet e mundshme në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, këto shtete duhet të tregojnë, ndër të tjera, sa ushtarë mund të dërgojnë në Ukrainë për një forcë paqeruajtëse ose programe stërvitore pas përfundimit të luftës. Do të diskutohen gjithashtu sistemet e armëve dhe çështja se çfarë pritet nga SHBA.

Në të njëjtën kohë, evropianët duhet të vendosin se si duan të merren me faktin që amerikanët nuk shohin një rol qendror për ta në procesin e negociatave, dhe po kërkojnë lëshime nga Ukraina pa u marrë vesh. Për të mundësuar fundin e luftës në Ukrainë, SHBA besojnë se Ukraina duhet të braktisë shpejt ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe të pranojë që një pjesë e territorit të saj të mbetet përgjithmonë nën kontrollin rus.

Kush do të marrë pjesë në takim?

Përveç kancelarit gjerman Olaf Scholz, marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës. Të pranishëm do të jenë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit, António Costa dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Mikpritës do të jetë presidenti francez Emmanuel Macron.

Si e pozicionojnë veten evropianët?

Kryeministri britanik Keir Starmer ka shprehur “gatishmërinë” për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Në një artikull si i ftuar për gazetën Telegraph, Starmer shkroi se Mbretëria e Bashkuar mund të marrë një “rol udhëheqës” në punën për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Nëse lufta do të përfundonte, kjo do të nënkuptonte gjithashtu vendosjen e trupave në terren nëse është e nevojshme.

Kancelari Scholz kërkoi një të drejtë bashkëvendosjeje për evropianët në negociata. “Ne duhet të pyetemi, sepse pa ne nuk funksionon asgjë”, tha kancelari në debatin televiziv mes kandidatëve kryesorë për zgjedhjet në RTL dhe ntv. Nuk do të ketë “garanci sigurie që nuk i kemi zhvilluar vetë dhe nuk i pranojmë për veten tonë”.

Një këshilltar i presidentit francez Macron tha se vendet evropiane duhet “të bëjnë më shumë dhe më mirë” për të garantuar sigurinë e tyre kolektive. Varet nga “në çfarë kushtesh mund të arrihet fundi i luftës”. Interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës duhet të ruhen.

Pse po mbahet në Paris samiti?

Siç ka bërë shpesh në kohë krize, Macron mori iniciativën për të vepruar si nxitës dhe moderator i një zgjidhjeje të mundshme në skenën ndërkombëtare. Pothuajse një vit më parë, ai solli debat me idenë e vendosjes së trupave tokësore në Ukrainë. Dhe me rastin e rihapjes së Katedrales Notre Dame, pak para Krishtlindjeve, ai arriti t’i bëjë Trump dhe Zelenskin të ulen në tryezë në Paris për bisedime të para për përfundimin e luftës.

Pak më parë, Macroni tërhoqi vëmendjen me një iniciativë në favor të një kontigjenti ushtarak ndërkombëtar në Ukrainë, për të garantuar një armëpushim të mundshëm. Detajet e nismës së Parisit për të dërguar trupa paqeruajtëse nuk u zbuluan. Prania e trupave për programet e trajnimit ushtarak të forcave të armatosura të Ukrainës është gjithashtu e përfytyrueshme. Kjo mund të përfaqësojë gjithashtu një garanci sigurie për Ukrainën, diçka që po diskutohet aktualisht në Paris.

A priten rezultate?

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha në Berlin se nuk priten marrëveshje konkrete. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, përfundimi ideal i takimit do të jetë që shtetet pjesëmarrëse të bien dakord për një strategji të përbashkët qëndrimi ndaj administratës së re amerikane dhe ideve të saj për një zgjidhje të luftës në Ukrainë. Konkretisht, mund të bëhet fjalë për ofertat që mund t’i bëhen Trumpit dhe cilat janë vijat e kuqe. Megjithatë, nuk priten njoftime publike, për shembull, për madhësinë e mundshme të një kontigjenti të trupave evropiane për Ukrainën.

Komisioni Evropian tha se bisedimet e së hënës duhet të vazhdojnë në formate të tjera, me synimin për të bashkuar të gjithë partnerët e interesuar për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Pse u organizua samiti me kaq urgjencë?

Faktori vendimtar ishte presioni nga SHBA, të cilat duan të organizojnë bisedime të nivelit të lartë me përfaqësuesit rusë në Arabinë Saudite në të ardhmen e afërt. Nëse evropianët duan të mbajnë të hapur mundësinë e ndikimit në negociata, ata duhet të kenë një qëndrim të përbashkët deri atëherë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rutte e përshëndeti shprehimisht nismën në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai tha se është shumë i kënaqur që do të ndodhë takimi. Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të dielën pikëpamjen e tij se Vladimir Putin është i interesuar për t’u dhënë fund luftimeve. “Unë mendoj se ai dëshiron t’i japë fund,” tha Trumpi. Ashtu si ministri i tij i jashtëm, Marco Rubio, para tij, Trump tha se Ukraina do të përfshihej në bisedimet për një paqe të mundshme.

Pse nuk marrin pjesë menjëherë në takim të gjitha shtetet e BE ?

Një arsye mund të jetë se është shumë më efektive të punosh në grupe të vogla sesa në grupe të mëdha. Përfytyrohet gjithashtu që prania e kryeministrit hungarez Viktor Orbán nuk ka qenë e dëshiruar. Politikani nacionalist i krahut të djathtë konsiderohet admirues dhe i besuar i ngushtë i Trumpit. /DW