Në mungesë të fjalës në Kuvend, Sala Jashari ka theksuar rëndësinë e dokumentimit dhe respektimit të historisë së Kosovës. Ajo ka bërë thirrje për unitet moral dhe shtetëror, duke nënvizuar se secili qytetar, deputet dhe institucion është bartës i historisë dhe ka përgjegjësi për të ruajtur të vërtetën për ngjarjet që kanë ndërtuar shtetin e Kosovës.
Jashari ka kujtuar projektligjin nr. 06/L-093, për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe krijimin e një muzeu të historisë në Prishtinë, duke theksuar se çdo ngjarje, emër dhe dëshmi duhet të dokumentohet për të garantuar njohjen e heronjve të Kosovës nga brezat e ardhshëm.
“Para se fëmijët tanë të njohin figurat historike të vendeve të tjera, ata duhet të njohin heronjtë dhe sakrificat e tyre. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët, martirët dhe veteranët janë mishërimi i atdhedashurisë dhe bekimi historik mbi të cilin qëndron shteti ynë,” ka thënë Jashari.
Ajo ka përfunduar mesazhin duke theksuar se institucionet duhet të udhëheqin me shembull dhe të marrin përgjegjësi maksimale për ruajtjen e historisë dhe vlerave kombëtare.