Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sadiku: Porositë e Ursula von der Leyen tregojnë rritje të pritjeve të BE-së ndaj Kosovës

Sadiku: Porositë e Ursula von der Leyen tregojnë rritje të pritjeve të BE-së ndaj Kosovës

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë ka sjellë tri porosi kyçe për vendin: ndërtimin e institucioneve të forta, uljen e tensioneve dhe përparimin drejt integrimit evropian.

Analisti politik Arbnor Sadiku i ka komentuar këto mesazhe për Arbëria TV, si tregues të rritjes së pritjeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Këto mesazhe tregojnë një rritje të pritjeve të BE-së ndaj Kosovës, duke kërkuar rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe stabilitetin politik,” ka deklaruar Sadiku. Sipas tij, fokusi te institucionet nënvizon nevojën për “qeverisje më funksionale dhe luftë efektive kundër korrupsionit.”

Në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi, Sadiku thekson se thirrja e BE-së për ulje tensionesh është një sinjal i qartë për rritje të presionit ndaj Prishtinës. “Thirrja për ulje tensionesh lidhet drejtpërdrejt me situatën në veri dhe marrëdhëniet me Serbinë. Në këtë kuadër, BE-ja po e shton presionin ndaj Prishtinës që të tregojë maturi politike dhe të zbatojë marrëveshjet e dialogut,” ka thënë ai.

Megjithatë, ai shton se përgjegjësia nuk është njëanshme. “Mesazhi përfshin edhe përgjegjësi për Serbinë që të ndalë veprimet destabilizuese,” thekson Sadiku.

Ai vlerëson se vizita e Ursula von der Leyen është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të riafirmuar rolin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe për të theksuar se “Von der Leyen e shikon Kosovën si pjesë të procesit evropian, por me kushte të qarta.”

Në përmbyllje, Sadiku thekson se “Kosova duhet të tregojë stabilitet dhe bashkëpunim rajonal për të ecur drejt integrimit. Në thelb, porositë e saj janë sinjal për më shumë përgjegjësi dhe pjekuri institucionale.”